Një pastor i njohur palestinez ka paralajmëruar se të krishterët në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Rripin e Gazës po përballen me mundësinë e zhdukjes totale për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite.
“Për të dytin vit radhazi, ne po festojmë Pashkët nën hijen e gjenocidit kundër popullit të Gazës”, tha pastor Munther Isaac, pastor i Kishës Ungjillore Luterane në Betlehem dhe Beit Sahour në Bregun jugor Perëndimor.
Ai tha se “Palestina është ende duke ecur në rrugën e dhimbjes, e prekur nga rrethimi dhe aparteidi izraelit. E njëjta forcë dhune që vrau Krishtin është ende e pranishme sot në tokën tonë.”
“Njerëzit e Gazës dhe Kisha e pritën festën me shpresën se lufta do të përfundojë, se drita do të mposhtë errësirën dhe e vërteta do të mposht gënjeshtrat. Ata po përjetojnë rrethanat më të vështira – pa ushqim, pa ilaçe, nën një bllokadë të rëndë izraelite. Ata vazhdimisht kërcënohen me zhvendosje të detyruar,” tha ai.
Për të dytin vit radhazi, të krishterët palestinezë festuan Pashkët pa gëzime dhe festa, ndërsa sulmet izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor hyjnë në muajin e 19-të.
Në Gaza, dhjetëra të krishterë u mblodhën në kishën historike të Shën Porfirit, e cila u bombardua nga një raketë izraelite më 19 tetor 2023, duke vrarë 18 civilë që kërkuan strehim atje.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jerusalemin Lindor, shërbimet e Pashkëve gjithashtu nuk kishin shkëlqimin e tyre të zakonshëm për shkak të kufizimeve izraelite që i pengonin të krishterët të hynin në Kishën e Varrit të Shenjtë – një nga vendet më të shenjta të krishterimit.
Pastori Isaac tha se të krishterët palestinezë në Bregun Perëndimor janë të izoluar nga Jeruzalemi Lindor i pushtuar për shkak të kufizimeve izraelite.
“Të krishterët duan të vizitojnë Jerusalemin, por marrja e lejeve nga pushtuesit është një pengesë. Ne besojmë se lejet as që duhet të ekzistojnë, Jerusalemi dhe Betlehemi janë qytete binjake që nuk duhet të ndahen dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot”.
“Ne jetojmë në një gjendje frike të thellë teksa shikojmë se çfarë po ndodh në Gaza, ndërsa bota arabe dhe e gjithë bota heshtin,” tha ai.
Ai shtoi se kufizimet dhe ngacmimet izraelite kanë për qëllim forcimin e kontrollit izraelit mbi Jerusalemin.
“Në disa vite, Izraeli kufizoi numrin e besimtarëve në Kishën e Varrit të Shenjtë. E gjithë kjo krijon dhimbje dhe trishtim sepse nuk mund të vijmë në të Shtunën e Shenjtë. Është pjesë e përpjekjes për kontrollin izraelit mbi Jerusalemin dhe vendet e shenjta”.
Pastori u bëri thirrje të gjithë të krishterëve në mbarë botën që t’i kushtojnë vëmendje shkeljeve të të drejtave të Izraelit në territoret e pushtuara.
“A do të pranojë dikush që krishterimi po zhduket nga Toka e Shenjtë?”, pyeti ai duke shtuar:
“Fatkeqësisht, ajo që shoh në Gaza tregon se prania e krishterë atje do të zhduket si rezultat i gjenocidit. Shpresoj se jam gabim”.
Ai paralajmëroi se gjithnjë e më shumë të krishterë po largohen nga Bregu Perëndimor për shkak të kufizimeve izraelite.
“Tani është një eksod i vërtetë që është rritur në mënyrë drastike pas gjenocidit dhe po rritet më tej për shkak të ngacmimeve izraelite, postblloqeve dhe situatës së vështirë ekonomike. Numri ynë tashmë është i vogël dhe e gjithë kjo ndikon drejtpërdrejt në praninë tonë,” tha Isaac.
Duke folur për komunitetin e krishterë në Gaza, pastor Isaac deklaroi se shtëpitë e shumë njerëzve u shkatërruan plotësisht ose u dëmtuan rëndë.
“Duhet të jemi realistë, nëse nuk ndalet agresioni, pushtimi dhe aparteidi, kam frikë se e ardhmja e rinisë sonë do të rrezikohet plotësisht.
Aktualisht në Rripin e Gazës jetojnë rreth një mijë të krishterë nga një popullsi prej më shumë se dy milionë. Rreth 70 për qind i përkasin Kishës Ortodokse Greke, dhe pjesa tjetër Kishës Katolike Latine.
Pastori pretendon se Izraeli nuk respekton asnjë “vijë të kuqe” në territoret e pushtuara.
“Unë besoj se mesazhi është i qartë: asnjë kishë, asnjë xhami, asnjë spital nuk mund të mbrojë njerëzit tanë në Gaza. Mesazhi i tyre është: zhvendosje ose vdekje.”
“Bombardimi i spitaleve është një sinjal i qartë se Izraeli po përpiqet të shkatërrojë të gjitha aspektet e jetës në mënyrë që të detyrojë të gjithë të largohen nga Gaza. Është zbatimi i një plani spastrimi etnik, një mesazh se nuk ka vend të sigurt.”
Që nga tetori 2023, më shumë se 51,200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulmet brutale izraelite në Gaza.
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në Gaza. /tesheshi.com/