Ashtu siç ishte paralajmëruar në të gjithë vendin ka nisur aksioni për pastrimin e nyjeve dhe akseve rrugore kombëtare.
 
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ishte në Milot, ku pa nga afër heqjen e objekteve pa leje.
 
“Jemi këtu në një nga nyjet e rëndësishme të akseve kombëtare, kryqëzimi i Milotit. Deri më tani, të gjithë personat që kanë kaluar kanë parë që ka patur objekte të paligjshme, aktivitete tregtare të paautorizuara, që shpeshherë mund të kthehen në burim aksidenti. Në kuadër të këtij operacioni shumë të rëndësishëm që është nisur për rritjen e sigurisë rrugore dhe pastrimin e akseve kombëtare, erdhi radha edhe për këtë aks. Siç po e shikoni, këtu po pastrohen objektet e paligjshme. Ishit dëshmitar edhe të prishjes së objektit të ndërtuar në mënyrë të paligjshme pranë aksit të rrugës”
 
Ministri përsëriti edhe njëherë vendimin se aksioni do të vazhdojë në të gjitha akset kombëtare.
 
“Unë e kuptoj se ka edhe njerëz që preken ekonomikisht por duhet të kuptojmë se gjeja më e rëndësishme në këto raste është siguria rrugore. Shpesh herë këto aktivitete tregtare në buzë të rrugës, janë kthyer në burim aksidentesh dhe problem të madh edhe për trafikun. Ju po e shikoni dhe qeveria shqiptare është e vendosur që këtij procesi ti shkojë deri në fund”.
 
Gjiknuri u ndal edhe tek tabelave të karburanteve dhe nevoja për një model të ri për reklamimin e këtyre aktiviteteve, pa rënë ndesh me Kodin Rrugor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re