Komisioneri i ri Evropian për Zgjerimin, njeriu që pasoi Johannes Hahn, pra hungarezi Oliver Varhelyi, njoftoi të martën se Komisioni Evropian do të paraqesë një propozim për një metodologji të re për procesin e zgjerimit dhe pranimit në Bashkimin Evropian në fillim të vitit të ardhshëm.

“Komisioni do të paraqesë ide në fillim të vitit të ardhshëm për të forcuar procesin e negociatave”, tha ai në Parlamentin Evropian, në një tryezë të rrumbullakët, ku morën pjesë parlamentarët evropianë dhe anëtarët e parlamenteve kombëtarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai njoftoi se propozimi i KE do t’i referohej një “procesi më dinamik” të pranimit në BE, në vend që të hapet dhe mbyllet menjëherë kapitulli.

“Ne duhet të përqëndrohemi në identifikimin e mundësive për integrim më të afërt dhe të hershëm në fushat me interes të përbashkët përpara se të bashkohemi”, tha Varhelyi.

Varhelyi tha që BE do të vazhdojë të përqëndrohet në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike gjatë procesit të pranimit.

“Këto janë çështje që janë në zemër të transformimit të shoqërisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Varhelyi.

Ai bëri thirrje për një angazhim më të fortë politik nga autoritetet në rajon në proceset e reformës, por gjithashtu i bëri thirrje BE që të përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj, por jo me koston e “pengimit” të procesit të pranimit.

“Thellimi i integrimit në BE mund të shkojë paralel me procesin e pranimit,” përfundoi Varhelyi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re