Ajo që dukshëm po vihet re, pa iu futur një analize të thellë apo sa mbështetje reale ka njëri apo tjetri, është fakti se sot PD-ja po funksionon e ndarë në dy kampe.

Ata që mbështesin Sali Berishën në njërën anë dhe Lulzim Bashën në anën tjetër.

Njëri që del foltore më foltore dhe mbush sallat duke matur forcën, e tjetri me “kërkesën e shfaqjes” në mesazhe përmes ekrani, duke “mbushur mendjen” se ata që sot mbështesin Berishën në PD janë pakica e pakicës.

11 dhjetori është testi i parë për të dyja palët. Ndaj dhe shumëkujt që kërkon të krijojë një panoramë më të qartë i mbetet që boshatisjen e fakteve ta mbushë deri diku përmes asaj që po ndodh në rrjetet  sociale.

Nuk po futemi tek përmbajtja dhe se sa të vërteta janë ato që shkruhen sepse shumë herë e vërteta margjinalizohet prej konsideratave të rëndomta, mllefeve, pakënaqësive, hatërmbetjeve apo fryma militanteste.

Po sjellim një tablo në parim se cili nga palët sot po ndiqet më shumë nisur nga reagimet, share-t, pëlqimet, kundërshtimet, shpërndarjet e mesazheve?

Basha apo Berisha?

Dhe sa është reflektuar ndarja në dy kampe e tyre edhe atyre që i mbështetin ata përmes reagimeve, komenteve dhe pëlqimeve në rrjetet sociale.

E bën prej muajsh këtë gjë një kompani që duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale dhe reagimin e publikut në rrjetet sociale, ka analizuar prirjet që njerëzit po kanë ndaj luftës së brendshme në PD.

Bëhet fjalë për “Terra Data Analytics”, një kompani e analizimit të të dhënave digjitale dhe e marketingut digjital, që duke mbledhur të dhënat nga rrjetet sociale arrin në disa përfundime analitike.

Dhe…mos prisni të merrni një përgjigje ndryshe nga perceptimi dominues, se PD-ja e ndarë më dysh reflektohet po aq njëjte edhe në klikimet, komentet, pëlqimet dhe mbështetjen që secila prej palëve ka në rrjetet sociale.

“Terra Data” që drejtohet nga Blerim Gjeladini ka vënë në dispozicion të Gazetasi.al matjen e audiencës për PD dhe njerëzit e saj muajt e fundit për të krijuar një ide se nga anon peshorja.

Ndërkohë, vetë Gazetasi.al ka përzgjedhur të bëjë publike të dhënat e 10 ditëshit të fundit për të kuptuar së fundmi situatën.

Ajo që vihet re është se Berisha mban top listën si politikani më i klikuar dhe komentuar pas Edi Ramës.

Ai kryeson listën e deputetëve nga PD-ja, i dyti rankohet apo renditet Lulzim Basha. I treti duket risi. Ai është Belind Këlliçi i cili nga pozicioni i 49-të që ishte para një muaji, kaloi fundjavën e kaluar (kur mori pjesë tek Foltorja e Berishës) në vend të gjashtë në rang Republike, duke pasur rritje 3528% më shumë.

Për 10 ditëshin e fundit Këlliçi renditet i treti në PD pas Berishës dhe Bashës. Jo vetëm aq. Por si Berisha, edhe ata që e mbështesin atë, Belind Këlliçi më pas Flamur Noka kanë edhe reagimet me të mëdha.

E ndarë si me dysh, pas Flamur Nokës renditet pala tjetër ajo zyrtare (por me shumë më pak reagime) me nënkryetaren e PD-së, Grida Duma, më pas faqja zyrtare e PD dhe Ervin Salianji.

Interesante është të shihet pëlqyeshmëria për secilin prej tyre.

Listën e kryeson Berisha ndaj të cilit ka vetëm rritje në komente dhe klikime qysh prej muajit maj kur ai u shpall “non grata”.

Gazetasi.al i ka hedhur një sy grafikeve muajve të fundit (qysh prej majit) që disponon “Terra Data” dhe rezulton se Berisha është politikani më i rankuar (pas Ramës) kurba ndaj te cilit rritet ndjeshëm në muajin shtator konkretisht në periudhat 16-17 shtator kur filloi edhe takimet me bazën, duke kulmuar ditën e lindjes së tij.

Në atë ditë, Berisha ka kurbën më të lartë të komenteve gjatë gjithë këtyre muajve, ndërsa Basha kurbën më lartë e ka ditën kur njoftoi se i vdiq i ati.

Edhe për muajin nëntor tabloja është e qartë në favor të Berishës krahasuar me ata që ndjekin Lulzim Bashën.

Gjeladini i “Terra Data”-s sqaron gjithashtu një detaj të rëndësishëm se përllogaritja mes te dyve bëhet në bazë të numrit të ndjekëseve që ka secili prej tyre.

…Një tjetër fenomen po aq i dukshëm kur i hedh një sy grafikeve është se raporti i postimeve me reagimet janë në perpjestim të drejtë, si për Berishën ashtu edhe për Bashën.

Megjithatë, nuk duhet shmangur një faktor po aq i rëndësishëm.

Berisha ka rritje por në dy kahe, rritje pozitive dhe negative dhe raporti mes tyre është gati gjysmë për gjysmë. Pra, thënë shkoqur, ndaj tij ka rritje por e ndarë në dy kampe në sensin negativ dhe pozitiv.

Mund të kesh rritje të volumit të komenteve, por në sensin negativ

Nga grafiket e mëhershme që Gazetasi.al disponon nga kompania “Terra Data” interesant është edhe fakti se ndaj Berishës (ditën kur shpalli garën për kryetar) ka pasur shumë komente por me rritje me shumë negative sesa pozitive.

Përgjithësisht, nga të dhënat rezulton se Berisha është rritur ndjeshëm qysh prej muajit korrik edhe për faktin se ai ka qenë më aktiv, dhe se në postimet e tij njerëzit e kanë mbështetur më shumë

Në shtator kurba lëviz sërish në favor të Berishës, vijon më muajin tetor, (gjatë kësaj kohe rritet edhe Basha por më ulët sesa Berisha), dhe në asnjë moment, sipas grafikeve që disponon “Terra Data” (vënë në dispozicion Gazetasi.al), Basha nuk e kapërcen Berishën.

Edhe në 10 ditët e fundit Berisha ka një trend rritje me 8,99%.

Interesante është të shihen edhe se për çfarë kërkohen më shumë deputetët më të ndjekur të PD.

Kërkimet për emrin e Berishës në Google lidhen më së shumti për moshën e tij, datëlindjen, çuditërisht gjatësinë, familjen, pasurinë, dhe shpalljen “non-grata”.

Basha në anën tjetër ka  rritje me së shumti në sensin negativ, pra ndaj tij ka më shumë reagime negative

Për Lulzim Bashën njerëzit kanë kërkuar më shumë për gjatësinë e tij, familjen, moshën, adresën në Twitter, Facebook dhe në top listën e kërkimit për të është se nga e ka origjinën

Por ndryshe nga Basha, gratë që e mbështesin atë kanë më së shumti rritje pozitive. Oriela Nebiaj e përfshirë së fundmi në grupin e punës (nga Basha) për zgjedhjet e kryetarit të FRPD ka rritje pozitive, pra ndaj saj ka reaksione pozitive. Ajo kërkohet në Google për të ditur kryesisht adresën e saj në Instagram dhe moshën

U kundërta për Oriola Pampurin që është vënë në krye të punëve për të “rithemeluar” Lidhjen Demokrate të Gruas dhe që akuzoi hapur Albana Vokshin.

Ndaj saj ka pasur në masë reagime negative.

Për vetë Albana Vokshin kurba është në mes, pra ka sa rritje pozitive aq edhe negative.

Grida Duma e rankuar në top listë nuk rezulton deri me tash të ketë rritje negative, përveçse pozitive por është shumë më pak aktive në rrjetet sociale duke u reflektuar edhe në grafikun e ditëve të fundit.

Interesante duken kërkimet për Grida Dumën ku top listën e fjalëve në kërkim e dominion adresa e saj në Facebook, cv-ja, familja por çuditërisht edhe ‘Grida në plazh’, mosha dhe djali i saj.

Tek Belind Këlliçi dominojnë të dyja kahet rritja pozitive dhe ajo negative, ndaj tij vihet re një trend rritës në nivel të konsiderueshëm dhe ai klikohet me shumë në google për moshën, familjen, bashkëshortja, dhe për vetë emrin e tij.

Për Ervin Salianjin një tjetër deputeti të rankuar lart  kërkojnë më së shumti të dinë për familjen e tij, mosha cv-ja gruaja.

Interesante është të shihen fjalët kyçe të kërkimit edhe për Flamur Nokën, (që ndryshe nga deputetët e tjerë) janë të tipit: “godet, qëllon, Basha, familja”.

Flamur Noka deri diku ka më shumë rritje negative sesa pozitive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re