Skip to content

“Pasuria publike nuk është pronë e qeverisë”/ Denoncimi i PD: Rama jep 88.5 hektarë pasuri shtetërore për “RAMS Albania” me 1 euro dhe pa konkurrim! Çështja do t’i referohet SPAK

PD denoncimi

Partia Demokratike ka denoncuar procedurën e ndjekur nga qeveria për projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, duke pretenduar se rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore janë vënë në dispozicion të një subjekti privat me tarifën 1 euro/kontrata dhe se zhvilluesi është përzgjedhur përmes një procedure jo konkurruese.

Deklarata është bërë nga Sekretarja për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD, Endira Bushati, e cila kërkoi transparencë për mënyrën se si është administruar kjo pasuri publike.

Sipas Bushatit, më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë “RAMS Albania” sh.p.k. statusin “Investim/Investitor Strategjik” për një projekt me vlerë të deklaruar 100 milionë dollarë dhe me sipërfaqe totale rreth 158.2 hektarë.

PD pretendon se në vendimin e KIS ishte evidentuar nevoja për përditësimin dhe saktësimin e hartave kadastrale, kufijve dhe statusit të pasurive, si dhe përfundimin e procesit të konsolidimit të tokës përpara transferimit të pronës shtetërore në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.

Deklarata e Sekretares për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD, Endira Bushati:

Partia Demokratike denoncon procedurën e ndjekur nga qeveria për projektin ‘Vlorë TEDA/RAMS Free Zone’, ku rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore janë vënë në dispozicion të një subjekti privat me tarifën 1 euro/kontrata dhe zhvilluesi është përzgjedhur me procedurë jo konkurruese.

Më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha ‘RAMS Albania’ sh.p.k. statusin ‘Investim/Investitor Strategjik’ për një projekt me vlerë të deklaruar 100 milionë dollarë dhe një sipërfaqe totale rreth 158.2 hektarë.

Vetë vendimi i KIS konstatonte nevojën për përditësimin dhe saktësimin e hartave kadastrale, kufijve dhe statusit të pasurive, si dhe kërkonte përfundimin e procesit të konsolidimit të tokës përpara kalimit të pronës shtetërore në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.

Megjithatë, vetëm katër muaj më vonë, më 30 qershor, qeveria transferoi në këtë fond 885,557.6 m², ose rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore në Vlorë, për realizimin e projektit.

Më 30 korrik, qeveria shkoi më tej: e shpalli territorin ‘Zonë të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Vlorë TEDA/RAMS Free Zone’, vendosi që pasuria shtetërore të vihej në dispozicion me tarifën 1 euro/kontrata dhe caktoi ‘RAMS Albania’ si zhvillues me procedurë jo konkurruese.

Partia Demokratike kërkon përgjigje për disa pyetje themelore:

1-A ishin përfunduar verifikimet dhe konsolidimi kadastral përpara transferimit të pasurisë?

2-Përse 88.5 hektarë pasuri shtetërore u vunë në dispozicion pa një procedurë konkurruese?

3-Mbi çfarë vlerësimi ekonomik u përcaktua tarifa 1 euro/kontrata?

4-Cili është përfitimi konkret i shtetit shqiptar?

5-A janë respektuar të gjitha kushtet e vendosura nga vetë Komiteti i Investimeve Strategjike?

Kjo procedurë bëhet edhe më shqetësuese për faktin se vetë Kryeministri Edi Rama deklaroi më 9 qershor se ligji për investimet strategjike e kishte përmbushur misionin e tij dhe se qeveria po punonte me Bashkimin Europian për një kuadër të ri ligjor.

Partia Demokratike do t’i drejtohet SPAK-ut, duke kërkuar hetimin e plotë të procedurës: nga dhënia e statusit strategjik, te transferimi i pasurisë shtetërore, përzgjedhja jo konkurruese e zhvilluesit dhe kushtet e vënies së pronës publike në dispozicion.

Pasuria publike nuk është pronë e qeverisë për t’u shpërndarë pa konkurrencë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie.

Kjo çështje duhet të hetohet deri në fund dhe me ardhjen në qeveri Partia Demokratike do të skanojë të gjitha kontratat e dyshimta dhe të dëmshme për interesin publik. Filozofia jonë do të jetë transparenca, zbatimi i ligjit dhe interesi publik i komuniteteve.

Janë këto shkelje, këto paligjshmëri të qeverisë Rama që mbajnë në shesh prej më shumë se 2 muajsh mijëra shqiptarë, në një protestë të sakrificës dhe përgjegjshmërisë qytetare.

Ata kanë të drejtë në kërkesën e tyre kryesore: Rama jepe dorëheqjen!