Ndryshimet në ligjin “për administrimin e pasurive të sekuestruara”, duke rritur rolin e Agjencisë së Administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara rrit efikasitetin në luftën ndaj krimit të organizuar.

Elona Gjebrea, deputete e Partisë Socialiste, pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, gjatë një interviste për ATSH ka nënvizuar se ndryshimet ligjore që pritet të kalohen në Kuvend janë pjesë e paketës ligjore të miratuar nga qeveria që diktohen nga nevoja për të luftuar frontalisht krimin e organizuar.

Sipas Gjebresë, projektligji ka të bëjë pikërisht me mundësinë që të kemi një mirëadministrim të pasurive të konfiskuara apo sekuestruara dhe një fuqizim të rolit të Agjencisë për Administrimin e pasurive të sekuestruara e konfiskuara.

“Sipas ligjit të ri, kjo agjenci do të kalojë nën varësi të Ministrisë së Brendshme, dhe nuk do të jetë më në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Po ashtu do të kemi një rol të shtuar të Komitetit ndërinstitucional përsa i takon masave ndaj krimit të organizuar, që do ketë një rol vendimmarrës dhe do të bashkëpunojë me agjencinë në fjalë”, tha Gjebrea.

“Në këtë mënyrë, shton ajo, do të ketë dhe një shpejtësi dhe një efikasitet më të mirë sa i takon luftës ndaj krimit të organizuar. Është një risi në fakt. E quaj një projektligj të nevojshëm, aq më tepër që bëhet fjalë për një masë, si pjesë e një pakete të ndërmarrë nga qeveria e ndikuar nga nevoja për një luftë frontale ndaj krimit të organizuar”, nënvizoi deputetja socialiste.

Ajo sqaroi dhe përse është me rëndësi që administrimi i pasurive të sekuestruara të realizohet nga një agjenci brenda Ministrisë së Brendshme, duke eliminuar hallkat dhe burokracitë e tepërta.

“Nëse ne kemi një sekuestrim të aseteve të caktuara kriminale nga ana e Policisë dhe administrim nga një strukturë tjetër që nuk është nën administrim të Ministrisë së Brendshme, kjo sjell një rritje të burokracisë dhe hallkave të cilat duhen tejkaluar, por duke qenë një strukturë brenda Ministrisë së Brendshme, atëherë rritet mirë koordinimi dhe institucionet bashkëveprojnë më mirë duke lehtësuar mënyrën se si këto prona të vëna nën sekuestro do të mirë administrohen”, theksoi Gjebrea.

Sipas ish-zv.ministres së Brendshme, “Komiteti Ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar. Këtij komiteti i rritet fuqia, pasi nga komitet këshillimor kthehet në një komitet vendimmarrës. Ky komitet përbëhet nga përfaqësues nga Prokuroria, Policia, Ministritë e linjës…etj. Dhe ata do të marrin një vendim sipas nevojave që do t’i paraqesë agjencia dhe do të rrisë efikasitetin se si kjo agjenci do të funksionojë”.

Deputetja Gjebrea tha se këto ndryshime ligjore nuk kenë kosto për buxhetin e shtetit. “Kjo agjenci e administrimit të pasurive të sekuestruara) tha Gjebrea, “ka një strukturë të plotë dhe s’ka ndryshim në buxhet. Dhe nga këto ndryshime ligjore, ne presim të kemi një agjenci më efikase dhe të intensifikohet më tej lufta ndaj krimit të organizuar duke rritur dinamizmin e punës së saj”.

“OFL, tha Gjerba, do të vijojë punën e saj dhe kur gjykata do të marrë një vendim futet në lojë agjencia dhe kjo do jetë më dinamike më e shpejtë dhe më e efikase. Edhe ligji italian funksionon në këtë mënyrë, edhe agjencia dhe polica janë brenda të njëjtës strukturë dhe kanë një bashkëpunim më efikas”, përfundoi Gjebrea.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re