Kreut demokrat Basha i ka kushtuar një status të shkurtër në FB, zhvillimeve të sotme në Kuvendin e PD-së, ku u miratua statusi i ri.

“Kuvendi ynë Kombëtar është tregues i guximit tonë për të ndryshuar: duke ndryshuar kulturën tonë, ne do të ndryshojmë të gjithë politikën.

Pas miratimit të statutit të ri në këtë Kuvend, ne do të shpërndahemi në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë, për të vazhduar betejën kundër së keqes, betejën pa kthim, deri në largimin e kësaj qeverie.

Dhe për të ndarë me njerëzit e thjeshtë një mesazh besimi, që ditët tona më të mira i kemi përpara”, shkruan Basha.

Por ndryshe e sheh Astrit Patozi, një ndër prej kundërshtarëve të ashpër të Bashës, zhvillimin e Kuvendit.

“Mbajeni mend mirë këtë datë! Është dita kur historia e Partisë Demokratike pritet si me thikë.

Sot u legalizua gati me unanimitet kthimi në ndërmarrje private të një personi i forcës politike që përmbysi diktaturën komuniste dhe udhëhoqi shumicën e proceseve transformuese të Shqipërisë në 28 vjetët e fundit.

Ndaj sot nuk është një ditë e zezë vetëm për demokratët.

Është ndoshta hera e parë në botë që një forcë politike mbledh Kongresin e saj vetëm për të ndryshuar statutin dhe e konsideron këtë si një fitore, ndërkohë që nuk është mbushur ende viti që kur statuti pararandës u flak botërisht në koshin e plehrave si një tefter pa vlerë.

Duhet të jetë me siguri rasti unikal në planet kur një parti e madhe e shkruan me dorën e vet 3 vjet përpara që do t’i humbasë zgjedhjet dhe se pas disfatës do të drejtohet sërish nga i njëjti kryetar.

Këtë, të paktën, mund të na e kishin kursyer. Mos u çudisni që u përpoqën më kot t’i shisnin disa diskutime kritike në Kuvend si shenjë e ndryshimeve pozitive që gjoja po ndodhin në Partinë Demokratike.

Lodhen kot, sepse e kanë pothuajse të pamundur që të gënjejnë njeri me ketë.

Sepse problemi ynë këto vitet e fundit nuk ka qenë kurrë se të ndalojnë të flasësh por se nuk lejojnë që të dëgjohesh.

Për fat të keq, sot Partia Demokratike ngjason shumë me Berlinin e pasluftës, kur sovjetikët dhe gjermanolindorët morën vendimin për ndërtimin e murit famëkeq.

Ky Kuvend ishte perdja e hekurt të Lulzim Bashës për të ndarë demokratët dhe për të izoluar përfundimisht  nga çdo gjë perendimore atë që ka mbetur nga Partia Demokratike e drejtuar prej tij.

Por të gjithë ne e dimë mirë se si përfundoi historia e Murit të Berlinit dhe e Republikës (së Re) Demokratike Gjermane”, shprehet Patozi. /tesheshi.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re