Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, i kryesuar nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu, në seancën e fundit njohu Kishën e Maqedonisë së Veriut, raportojnë mediat maqedonase.
Në një deklaratë të Patriarkanës thuhet se si emër i kësaj kishe, ajo njeh Ohrin, “duke pasur parasysh se zona e juridiksionit të saj është brenda kufijve të shtetit të Maqedonisë së Veriut”.
Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) tha në një deklaratë se vendimi i patriarkanës, pas dekadash mosmarrëveshjesh me Kishën Ortodokse Serbe dhe izolimit ndërkombëtar, “heq një përçarje prej dekadash të imponuar ndaj Kryepeshkopatës së lashtë të Ohrit.”
“Kjo do të thotë se Patriarkana Ekumenike e njeh hierarkinë kishtare të kryesuar nga Kryepeshkopi Stefan si kanonike dhe e vlefshme në botën pan-ortodokse dhe krijon një bashkësi kanonike dhe liturgjike me të”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, shtohet se ky vendim nuk nënkupton një tomos për autoqefalinë që rregullon zyrtarisht emrin dhe statusin ndërkombëtar të kishës, por është një “shprehje e dashurisë dhe kujdesit atëror të Patriarkanës Ekumenike” dhe një njoftim se KOM është jo më i ndarë me botën ortodokse, për të bashkë-shërbyer me priftërinjtë nga kishat e tjera ortodokse.
Sipas KOM-it, vijojnë negociatat shtesë për statusin e saj përfundimtar.