Në konferencën e sotme me gazetarët Sali Berisha paraqiti një video ku sipas tij duken patronazhistët e PS duke blerë vota në Babrru të Tiranës për zgjedhjet e 11 majit.
Në videon që paraqiti Berisha, duken disa persona që dalin nga një shtëpi në Babrru me një tufë parash në dorë. Më pas ata hyjnë në dy makina, teksa një qytetare po i filmonte.
Edhe një herë kryedemokrati përsëriti se kemi të bëjmë me farsë elektorale dhe jo me zgjedhje.
Sali Berisha: Narko qeveria, e kreut të organizatës kriminale Edi Ramës, nuk u mjaftua me shpërndarjen e 76 mln euro për pensionistët, për blerjen e votës, me dhurimin e 200 mln euro gjoba dhe kamata 2 ditë para zgjedhjeve. Nuk u mjaftua me firmosjen e dhjetra mijëra leje të legalizimit, me përdorimin e dhjetra mijëra automjeteve pa lidhje me fushatën elektorale, me punësimin në qeverisjen lokale dhe qendrore, por kaloi direkt në blerje vote duke shpërndarë fshehtas para për zgjedhësit shqiptarë. Shpërndarja e fshehtë e parave është vështirë të kapet, ata që kryejnë bëjnë çdo gjë që të fshihet çdo gjurmë. Megjithatë, kamerat e qytetarëve syçeltë kanë filmuar momentin kriminal të ndarjes së parave për votë. Kjo, jo të themi pas Dajtit apo në Mokër apo Tropojë. Jo. Në Tiranë, në Babrru.
Kjo i filmon dhe u bën të ditur se po i ndjek, po i gjurmon.
Këto zgjedhje janë farsë dhe nuk janë zgjedhje. Ndaj dhe ne paraqesim para mediave dhe shqiptarëve fakte të pakundërshtueshme të farsës që delegjitimojnë plotësisht qeverinë e dalë nga zgjedhjet.