Bashkimi Evropian do të ketë edhe një herë një partner bashkëpunues amerikan kur Joe Biden të bëhet president, por evropianët nuk duhet të mbajnë asnjë iluzion: Uashingtoni nuk do të jetë një polic global, as një mbrojtës i madh i NATO-s, besojnë udhëheqësit dhe analistët evropianë.

“Ditë e shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, ne shpresojmë të punojmë me administratën e re të SHBA për të rinovuar partneritetin tonë,” shkroi kryediplomati i BE Josep Borrell duke uruar Biden për fitoren e zgjedhjeve, raportoi AFP.

Por Jean-Claude Juncker, ish-presidenti i Komisionit Evropian, tha më herët hapur: “Joe Biden nuk do të ndryshojë qasjen e Uashingtonit ndaj çështjeve ndërkombëtare brenda natës, sepse nuk mundet.”

Sebastien Maillard, kreu i Institutit “Jacques Delors”, emëruar sipas ish-shefit me ndikim të BE, paralajmëroi se “evropianët duhet të mësojnë të jetojnë pa udhëheqjen globale amerikane”.

“Në një të ardhme të parashikueshme, Shtetet e Bashkuara thjesht do të jenë të preokupuara me veten e tyre,” pajtohet mendimtari politik gjerman Markus Kaim.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, përgëzoi Biden për zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara dhe e thirri atë të rinovojë bashkëpunimin dhe udhëheqjen në fushën e sfidave dhe mundësive globale.

Një partneritet kyç i rinovuar

“BE dhe SHBA janë miq dhe aleatë. Qytetarët tanë kanë lidhjet më të thella. Kjo është arsyeja pse zgjedhja e presidentit amerikan është një moment i rëndësishëm edhe në këtë anë të Atlantikut. Tani është e qartë se presidenti i 46-të është Joe Biden. Unë e përgëzoj atë dhe Zv.Presidenten Kamala Harris për fitoren e tyre “, tha zyrtarja evropiane në një mesazh video.

Ajo kujtoi se si SHBA dhe BE kishin ndërtuar një “miqësi të paparë”, bazuar në një histori të përbashkët dhe vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut, drejtësisë sociale dhe një ekonomie të hapur.

“Partneriteti ynë ka mbështetur ligjet e së drejtës ndërkombëtare për dekada dhe mbetet një kolonë e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në të dy anët e Atlantikut. Bota vazhdon të ndryshojë dhe partneriteti ynë i rinovuar do të jetë thelbësor,” tha Von der Leyen.

Ajo shtoi se ajo pret që të punojë me presidentin e ri të SHBA për të adresuar sfidat globale, të tilla si pandemia e virusit corona dhe pasojat e saj, ndryshimi i klimës, dixhitalizimi, siguria globale dhe reforma e sistemit multilateral.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re