Presidenti Bajram Begaj, në kuadër të vizitës në Kosovë dhe pjesëmarrjes në ceremonitë shtetërore për kremtimin e 15-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, është pritur sot në një takim të veçantë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

 

Presidenti Begaj e uroi Kurtin për 15-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe përshëndeti arritjet e Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, në respekt të plotë të angazhimeve të marra 15 vjet më parë.

 

Duke u ndalur tek dialogu Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj vlerësoi domosdoshmërinë e vijimit të këtij dialogu dhe e siguroi Kryeministrin Kurti, se Shqipëria do të jetë krah Kosovës dhe institucioneve të saj në të gjitha sfidat dhe përpjekjet për të zënë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale.

 

Presidenti Begaj theksoi qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacënueshme.

 

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë e strategjik midis dy shteteve dhe nënvizoi nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat, në dobi të marrëdhënieve ndërshtetërore por edhe të bashkëpunimit kombëtar, si në rajon ashtu edhe në diasporë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re