Kryeministri Edi Rama është shprehur se Pavarësia e Kosovës nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh nga vendet e tjera.

Komentet Rama i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që drejtohet nga vetë ai.

Sipas Ramës, Rusia dhe vende të tjera e kanë përdorur pavarësinë e Kosovës për të justifikuar ëndrrat e tyre neoimperiale.

“Shqipëria është një vend i vogël, por kontribuon për të mos pranuar agresionin dhe për të mos lejuar atë që është e qartë që mund të kthehet në të dyshimtë. Detyra kryesore e Këshillit të Sigurimit është të veprojë në mënyrë vendimtare në emër të gjithë botës. Abuzimi i përdorimit të së drejtës së vetos, për fat të keq e ka mbajtur peng këtë Këshill, por nuk e ka bërë të heshtë. Vlerat dhe rregullat që na sjellin bashkë, nuk duhet të zëvendësohen nga rregulli i forcës. Bota po kalon në një pikë të rrezikshme që mund të kthehet në tragjedi për të gjithë ne.

Më lejoni t’ju tregoj shembullin e Ballkanit Perëndimor, ata që kanë parë luftën si rrugë për arritjen e objektivave të tyre, në fakt janë penduar. Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin lindjen e republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre neoimperiale. Pavarësia e Kosovës që është sanksionuar nga Gjykata ndërkombëtare Penale, e cila nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh.

Nëse paqja në rajonin tonë është e prekshme, kjo ka të bëjë me mësimet e nxjerra nga e shkuara. Duke ecur përmes bashkëpunimit dhe jo duke krijuar barriera. Karta e Kombeve të bashkuara na bën thirrje për të jetuar në paqe. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, të ngrihet për paqen, të qëndrojë krah të agresuarit dhe jo agresorit, faleminderit”, është shprehur Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re