Shqipëria feston sot 111 vjet pavarësi, një përvjetor jo jubilar, por me të veçantën shifrore të të tre njëshave.

Në këtë ditë, 111 vjet më parë, Ismail Qemali me një shpurë figurash shqiptare të kohës, shpalli pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, e cila qeverisi për shekuj Ballkanin dhe Lindjen e Mesme, si një prej fuqive botërore të asaj kohe. Shembja e saj pas 500 vitesh pasoi tendencën e krjimit të shteteve me bazë kombësie, gjë e cila provokoi Luftën e Parë Botërore.

Pavarësia e Shqipërisë qe një vijim logjik i zhvillimeve botërore, jo një rebelim anti-osman, pasi vetë Porta e Lartë nxiti krjimin e një shtetit shqiptar në hartën e re ballkanike.

Ndaj, pas pavarësisë, shqiptarët do përballeshin me sfidën e rëndë gjeopolitike, pasi fqinjët me aleatët e tyre të mëdhenj do tentonin shumë territore nga ai shqiptar, unifikuar nën Perandorinë Osmane. Kjo u pasua me masakra të rënda ndaj popullsisë muslimane shqiptare gjatë luftrave ballkanike, trajtuar poshtërsisht si turke, ende e pashkruar kjo nga historiografia shqiptare, dokumentuar vetëm nga historiani amerikan Justin McCarthy me veprën e tij “Vdekje dhe Dëbim”. Në fakt kjo fushatë kishte nisur që me pavarësinë greke në vitin 1821, ku në shënjestër ishte popullsia muslimane e Ballkanit, duke patur të njëjtin fat dhe qindra muslimanë shqiptarë të cilët mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar. Ky shtet më pas do pasohej me sfidat rënda të të qënit shtet, prej shumë trazirave politike, të cilat viktimizuan dhe vetë Ismail Qemalin. Dhe pra, deri në Kongresin e Lushnjës, shteti i krijuar në Vlorë bartte shenjën e pavarësisë por jo atë të një shteti klasik që ndërton e menaxhon një shoqëri, e vetëkuptueshme kjo nga mungesa e thellë e një tradite qeverisjeje joperandorake. Por ç’prej atëherë dhe sot, Shqipëria ende vuan handikapin historik të një paaftësie për të bërë shtet serioz, si dhe vijimit ende të traditës së mbrapshtë të një lufte politike pa princip. /tesheshi.com/     

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re