Pavarësisht sanksioneve të vendeve perëndimore ndaj Moskës dhe njoftimeve të shumë vendeve dhe kompanive për pezullimin e aktiviteteve të tyre për shkak të luftës në Ukrainë, shumica e kompanive gjermane, përfshirë markat kryesore dhe të njohura, mbeten aktive në Rusi.

Nga njëra anë, Gjermania ofron mbështetje ushtarake për Ukrainën, por nga ana tjetër, kompanitë gjermane vazhdojnë të ushtrojnë biznesin e tyre në Rusi.

Raporti i fundit i Universitetit St. Gallen të Zvicrës, nxjerr në pah se vetëm 8.5 për qind e kompanive të Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të G7 janë tërhequr nga Rusia.

Po ashtu edhe hulumtimi i bërë nga Universiteti amerikan Yale, tregon se 19 kompani gjermane vazhdojnë biznesin si zakonisht në Rusi, 18 prej tyre kanë prolonguar investimet e planifikuara për të ardhmen duke vazhduar biznesin thelbësor dhe 20 të tjera kanë reduktuar disa operacione të rëndësishme biznesi, por kanë vazhduar me disa të tjera.

Tridhjetë e nëntë kompani gjermane kanë kufizuar përkohësisht pjesën më të madhe ose pothuajse të gjitha operacionet duke lënë të hapur opsionin e kthimit ndërsa 31 kopani kanë dalë nga vendi, tregon hulumtimi.

Marsin e kaluar, menjëherë pas fillimit të luftës, gjiganti i shitjes me shumicë “Metro” lëshoi një deklaratë në të cilën dënoi “sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës”, por shtoi se do të vazhdojë operacionet e saj në Rusi.

“Vendimi nuk ishte i lehtë, ai u mor pas një shqyrtimi të kujdesshëm. Kompania ka përgjegjësi për 10 mijë kolegë atje dhe shumë njerëz blejnë ushqime nga ne”, tha kompania me seli në Dyseldorf.

Ndërkohë, “Metro” ka ndaluar aktivitetet e rritjes dhe ka ulur blerjet e shpalljeve në Rusi.

Kompania gjermane e automjeteve “Continental”, e cila prodhon sisteme frenimi, elektronikë të brendshme dhe goma, ndaloi operimet e saj në Rusi marsin e kaluar, por muajin tjetër, ajo njoftoi rifillimin e funksionimit, me pretekstin se donte të mbronte stafin e saj lokal.

“Për të mbrojtur punonjësit tanë në Rusi nga ndjekja penale, ne do të rifillojmë përkohësisht prodhimin e gomave për automjetet e pasagjerëve për tregun lokal në fabrikën tonë të gomave në Kaluga nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Teknologji, ushqime, kujdes shëndetësor dhe karamele

Gjiganti i inxhinierisë dhe teknologjisë “Bosch” ende është aktiv në Rusi, por po kërkon një blerës për të shitur asetet e saj në vend që të largohet, pasi që kompania është nën hetime nga autoritetet gjermane.

Ministria e Ekonomisë së Gjermanisë ka nisur hetime nëse “Bosch” ka shkelur ndalesën e eksportit të mallrave që mund të përdoren si për qëllime civile ashtu edhe për ato ushtarake. “Bosch” po kërkon blerës për asetet e saj në Rusi.

Prodhuesi i produkteve ushqimore “Ritter Sport” gjithashtu është ende aktiv në Rusi, por kompania më herët kishte njoftuar se nuk ka për qëllim që fitimet e saj në Rusi t’i dhurojë Ukrainës.

Kompania e IT-së, “AnyDesk” vazhdon biznesin e saj në vend si zakonisht.

Kompania e kujdesit shëndetësor “B.Braun” gjithashtu nuk ka marrë asnjë masë për të reduktuar ose pezulluar aktivitetet e saj në Rusi.

Gjiganti i kujdesit shëndetësor “Bayer” ka pezulluar aktivitetet e paspecifikuara të biznesit jothelbësor, por ai është ende aktiv në vend.

Prodhuesi dhe ofruesi i makinerive dhe motorëve të ndërtimit “Zeppelin Group” më herët kishte paralajmëruar se mund të largohet nga Rusia, por deri më tani nuk ka pasur asnjë vendim për tërheqje.

Prodhuesi i makinerive bujqësore “Claas” po vazhdon biznesin e tij në Rusi si zakonisht.

Kompania diskrecionale e mbrojtjes së konsumatorit BPW vazhdon bashkëpunimin e saj me tregtarët në Rusi, pa asnjë shenjë të reduktimit të aktiviteteve ose largoimit të saj.

Kompania e kujdesit mjekësor “Fresenius” po ashtu vazhdon operacionet e saj në vend si zakonisht.

Dega e kujdesit shëndetësor të “Siemens-Siemens Healthineers” gjithashtu nuk ka paralajmëruar për ndonjë pezullim të biznesit në Rusi dhe është ende aktive në vend.

Prodhuesi i famshëm i ëmbëlsirave “Storck” ka rifilluar shitjen e ëmbëlsirave në Rusi.

Ofruesi kryesor i materialeve të ndërtimit “Knauf” pezulloi investimet e reja në Rusi, por mbetet aktiv në shumë qytete ruse.

Kompania shëndetësore dhe kimike “Merck” ka kufizuar disa transaksione, por ajo vazhdon të operon në mënyrë aktive në Rusi.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re