Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka rënë në gjurmët e një rasti korruptiv që nis me paraburgimin e Beratit. Pas sinjalizimeve të ndryshme nga të burgosur, por edhe hetimeve në rrugë operative, me urdhër të kreut të SHKB së burgjeve drejtori i këtij institucioni të heqjes së lirisë Hiqmet Këlliçi është vënë nën hetim për “shpërdorim detyre”.

Lajmi është bërë publik edhe nga Prokuroria e Beratit, e cila po heton dosjen hetimore në ngarkim të drejtorit Këlliçi, i cili pavarësisht kësaj vijon detyrën.

Drejtori i Burgut të Beratit është hetuar prej 1-muaji nga Oficerët e Policisë Gjyqësore të Shërbimit të Brendshëm Kombëtar të Burgjeve të cilët kanë përcjellë pranë Prokurorisë së Beratit edhe hetimet e kryera dhe provat e dëshmitë e grumbulluara.

Hiqmet Këlliçi akuzohet se favorizonte të dënuarit për “liri me kusht” në këmbim të ryshfeteve. Në dosjen hetimore në ngarkim të tij thuhet se ai nuk i dëmtonte të dënuarit që sipas tij duhet të përfitonin “liri me kusht” edhe kur ata kryenin shkelje të ndryshme.

Në shumë raste të tilla edhe pse juristi i burgut Berat përgatiste praktikat dhe ja dërgonte komisionit të disiplinës, ky komision nuk mblidhej asnjëherë për rastet e të burgosurve që favorizoheshin prej tij.

Në dosjen hetimore thuhet gjithashtu se Këlliçi ka shpërdoruar detyrën duke shfrytëzuar autoritetin e tij si drejtues institucioni për rastet e sipërpërmendura,që sipas SHKB-së janë me dhjetëra.

Të pyetur në lidhje me këtë hetim,burime të Prokurorisë së Rrethit Berat konfirmojnë se çështja penale në ngarkim të Drejtorit të IEPV-së Berat Hiqmet Këlliçi ka mbërritur në prokurori ditën e djeshme dhe sot pas hedhjet së shortit i ka kaluar për hetim njërit prej prokurorëve të këtij institucioni.

Kjo është çeshtja e dytë penale që po hetohet nga Prokuroria e rrethit të Beratit në ngarkim të drejtorit Hiqmet Këlliçi. Në Dhjetor 2019 ai është akuzuar për “shpërdorim detyre” nga SHKB-ja,pasi shoferi i tij me urdhër të drejtorit dhe në kundërshtim me ligjin lejohej të takonte të dënuar të ndryshëm në qelitë e tyre për tu siguruar favore në këmbim të ryshfeteve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re