Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaron se qeveria ka qenë e papërgatitur në fillim të krizës së shkaktuar nga COVID-19 dhe akuzon se po mbajnë të fshehur numrin e testeve në dispozicion.

” Qeveria ishte e papërgatitur kur filloi kjo krizë. Sot data 5 prill dhe ende asnjë shqiptar nuk ka përfituar nga fondet që qeveria ka thënë se ka vënë në dispozicion. Ndërkohë që Kosova ka vënë në dispozicion 200 milionë euro, Maqedonia e Veriut 600 milionë euro, ndërsa Serbia 1.5 mld euro. Do duhet të kishte ndodhur që në ditët e fundit të muajit mars që çdo punonjës i bizneseve që nuk janë paguar sepse nuk kanë mundur të punojnë duhet të ishte paguar nga qeveria me të paktën pagë minimale”, deklaroi Bardhi gjatë një interviste për News 24.

Sa i përket situatës dhe masave kundër Covid-19, numri dy i PD-së kërkon që qeveria të rrisë testimet ndaj popullatës në Shqipëri me qëllim kthimin në normalitet të situatës.

“Afërsisht 10% e atyre që testohen rezultojnë pozitiv me COVID-19. Ne na raportohen çdo ditë qytetarë që kërkojnë ndihmë pranë shërbimeve të urgjencës sepse kanë simptoma të ngjashme dhe nuk testohen apo verifikohen. Është detyrë e qeverisë të kryejë testim masiv të popullatës për të mundësuar kthimin në normalitet të situatës”, theksoi Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi kërkoi nga qeveria t’u kthejë shqiptarëve atë që opozita e cilëson si taksën e korrupsionit, të anulojë koncesionet dhe jo të marrë masa qesharake si përgjysmimi i tremujor i pagës.

“Kam një kërkesë për Taulant Ballën dhe gjithë shokët e ti.- tha Bardhi. – nuk kanë nevojë të japin gjysmën e pagës, sepse ajo është një vlerë krejtësisht qesharake. Do të duhen t’u kthejnë shqiptarëve taksën e korrupsionit në këto 7 vjet. Taksa e korrupsionit është ajo qe ka marrë peng Taulant Ballën, Edi Ramën, Arben Ahmetajn dhe gjithë shokët e tij në parti. Është kjo taksë që i detyron këta të vendosin 3 milionë shqiptarë përballë 10 oligarkëve. Të kthejnë taksën e korrupsionit, të anulojnë koncesionet dhe t’u vijnë në ndihmë qytetarëve shqiptarë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re