Partia Socialiste ka tërhequr projektligjin për Amnistinë Penale nga seanca e sotme parlamentare, pasi nuk siguroi 84 votat e nevojshme për ta kaluar në Kuvend.

Projektligji pritej të mos kalonte sot në seancën plenare pasi që të miratohet duhen 84 vota dhe aktualisht shumica socialiste nuk i ka.

Kryetari demokrat, Lulzim Basha, njoftoi se Partia Demokratike nuk do të marrte pjesë seancë, për votimin e ligjit për Amnistinë Penale.

Nga ‘Amnistia penale përfitojnë rreth 700 persona të dënuar dhe 2500 të tjerë në shërbim prove. Kategoria që përfitojnë ulje shkojnë nga 1200 në 1600 të dënuar.

PD bojkot seancës

Sipas Bashës, një ligj i tillë po përdoret nga mazhoranca me qëllim amnistimin e zyrtarëve të dënuar apo janë nën hetim. E vetmja mënyrë për të kaluar ligji, sipas Bashës, është tërheqja e mazhorancës nga ky qëndrim dhe nëse pranohen propozimet e opozitës për të amnistuar pa kusht të gjithë protestuesit.

Lulzim Basha u shpreh dje se kryeministri Edi Rama po bën gjithçka për të vendosur mburojat qeveritare në funksion të pandëshkueshmërisë. Në një deklaratë për shtyp, ai tha se amnistia penale e propozuar nga PS amniston zyrtarët e korruptuar dhe jo protestuesit që janë ngritur për të mbrojtur pronën e tyre.

“Kjo është një goditje e pastër në punën e drejtësisë. Dua ta bëj fare të qartë që PD jo vetëm nuk do të jetë pjesë e kësaj manovre të fëlliqur, por do të bëjë gjithçka brenda dhe jashtë vendit për të treguar dhe faktuar se kërcënimi kryesor ndaj avancimit të Reformës në Drejtësi dhe në luftën ndaj pandëshkueshmërisë sot është Edi Rama dhe qeveria e korruptuar”, u shpreh ai.

Basha bëri me dije se grupi i tij i deputetëve nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare, ku pritet të kalojë ligji për amnistinë. Ai u shpreh se PD-ja do ta rishikojë pozicionin e saj vetëm nëse pranohen kushtet e saj, që të gjithë protestuesit të amnistohen.

“PD nuk do marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare dhe pa diskutim është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin dhe lehtësimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht PD në funksion të interesit më të mirë publik dhe në transparencë të plotë do të rishikojë vendimin e saj”, u shpreh Basha.

Kujtojmë se dy ditë më parë socialistët kaluan me votat e tyre në Komisionin e Ligjeve draftin e integruar të “Amnistisë penale”, e cila që të miratohet në Parlament kërkon 84 vota që shumica socialiste nuk i ka. Komisioni parlamentar i Ligjeve i dha dritën jeshile të martën draftit për amnistinë penale. Kjo i hapi rrugën që projektligji për amnistinë penale të kalojë për shqyrtim të enjten në Parlament.

Që ajo të miratohet duhen 84 vota dhe aktualisht shumica socialiste nuk i ka ato. Nuk dihet nëse do të arrihet një dakordësi me grupimin e Lulzim Bashës.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se amnistia penale duhet të shihet si një akt humanizmi dhe mëshire për të këtë kategori personash. Ai shtoi më tej se pret reflektim nga opozita, ndërsa theksoi se nuk do që ta besojë se konfuzioni që u krijua për këtë projektligj po shfrytëzohet për axhenda të vogla politike.

“Unë shpresoj dhe besoj që secili nga deputetët e Kuvendit duke e konsideruar votën për amnistinë si një akt humanizmi dhe mëshire, që i japim një kategorie të caktuar të shoqërisë tonë që edhe pse janë të dënuar janë pjesë e jona, t’u japim mundësinë të kthehen pranë familjeve të tyre. Pres reflektim dhe ndoshta edhe konfuzioni që u krijua nga dje dhe sot për këtë projektligj, nuk dua ta besoj unë e shoh si një moment për ta shfrytëzuar axhenda të vogla politike. Do isha i kënaqur nëse projektligji do merrte votat e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi ministri i Drejtësisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re