Kryetari i Partisë Demokratike dega Durrës, Ferdinand Xhaferraj këtë të hënë ka qenë në zonën e ish Kënetës në Durrës ku ka dëgjuar nga afër problematikën e qytetarëve në këtë zonë.
Xhaferraj në një prononcim për mediat bën me dije se banorët e kësaj zone janë lënë në harresë, ndërkohë që qeveria i ka braktisur prej 7 vitesh qeverisje.
Ndër të tjera ai thekson se 25 prilli do të jetë disa e referendumit, ku do të marrë fund braktisja e këtyre banorëve.
“Jemi në zonën e ish Kënetës që si shumë zona të tjera të qytetit si Spitala, Shkozet dhe Porto Romano ka probleme të shumta, isha dhe para disa ditësh për problemin e përmbytjeve është një zonë që shteti e ka harruar dhe vjen vetëm për ta gjobitur.
Para disa ditësh i ka kërkuar taksë, pastrimi, ndriçimi dhe pse nuk ka pasur asnjë shërbim.
Ajo që më bëri përshtypje është se qytetarët janë dakord që të paguajnë taksat por në momentin që ato marrin shërbimet e duhura, Dëgjoj Ramën dhe zyrtarët e tij se synojnë për një mandat të tretë por kanë shtatë vite që e qeverisin këtë qytetet dhe braktisja, nëpërkëmbja e qytetarëve është e vetmja gjë që konstatohet. 25 prilli do të jetë dita e referendumit ndaj braktisjes, nëpërkëmbjes dhe injorimit që i është bërë këtij qyteti”, është shprehur ai.
Ndërkohë banorët e zonët theksojnë se bashkia u kërkon që të paguajnë pesë lloje taksash dhe pse ato jetojnë në kushte të mjerueshme dhe pa asnjë shërbim.
“Më kanë ardhur nga bashkia pesë lloje taksash ndërkohë nuk afrohet asnjë shërbim, unë nuk jam kundër pagesës së tyre por ne na kanë mbytur ujërat e zeza dhe nuk ka asnjë shërbim.
Këtu është katastrofë gjendja dhe ato kërkojnë taksa”, ka thënë një banor.