Partia Demokratike me anë të një shkrese ka denoncuar në KQZ, drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, pasi ka shfrytëzuar postibn publik duke favorizuar një subjekt politik në shkelje të kodit zgjedhor.
Sipas ankimit të firmosur nga juristi i PD-së Franc Nuri, Kuçi ka shkelur kodin duke bërë fushatë elektorale për Partinë Socialiste. Kuçi, thuhet në ankimin e PD-së ka përdorur postin publik në mbështetje të PS-së.
“Drejtoresha e AZHBR ka vepruar si burim njerëzor në mbështetje të një partie politike:
Në këtë rast, subjekti i cili kryen detyrën e Drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi konsiderohet si burim njerëzor për shkak të angazhimit të tij në administratën publike. Në këtë rast ajo ka vepruar si burim njerëzor i institucionit që drejton, në mbështetje të një partie politike të caktuar që në këtë rast është Partia Socialiste, duke shkelur nenin 91 të Kodit Zgjedhor”, thuhet në ankimin e PD-së.
Këtë shkelje sipas ankimit, ajo e ka kryer duke prezantuar si drejtoreshë e AZHBR, një program mbështetës kombëtar në bujqësi, vetëm pak javë para zgjedhjeve. Sipas këtij programi, PD thotë se AZHBR ndikon politikisht te fermerët, pasi u jep përfitime atyre vetëm pak javë para zgjedhjeve.
“Drejtoresha AZHBR ka prezantuar një program mbështetës që synon ofrimin e lehtësirave për një kategori të caktuar zgjedhësish
Prezantimi i Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi është në kundërshtim me këto dispozita për arsye se: a) Parashikon dhënien e përfitimeve për një kategori të caktuar njerëzish, konkretisht për
fermerët, blegtorët dhe bletarët dhe personai që punojnë në fushën e bujqësisë. b) Nuk është nxjerrë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme (siç parashikon neni 91/4).
Aktualisht vendi nuk ndodhet në kushtet e një fatkeqësie natyrore, epidemie, gjendje lufte apo një gjendje tjetër të jashtëzakonshme e cila të ketë diktuar nxjerrjen dhe prezantimin e kësaj Skeme.
2 vijon shkresa e PD-së.
Shkelja në kodin penal për “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikon dënim me burgim nga 1 deri në 3 vjet. Koalicioni i PD-ASHM kërkon nga KQZ marrjen e masave të menjëhershme ndaj drejtoreshës së AZHBR, Ardita Kuçi.
Drejtoresha e AZHBR ka përdorur funksionin publik për veprimtari politike ose zgjedhore
Subjekti në fjalë në kundërshtim të hapur me ligjin si më sipër dhe Kodin Penal ka përdorur funksionin publik për të favorizuar një parti politike konkretisht Partinë Socialiste. Përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe elektorale është i ndaluar me ligj për faktin se përfshin abuzimin me fondet publike, favorizimin e një partie politike dhe ushtrimin e ndikimit mbi votuesit.
Prezantimi i këtij programi automatikisht ndikon në bindjen politike të zgjedhësve, duke sjellë përfitime dhe interesa për Partinë Socialiste dhe duke dëmtuar interesat e Partisë Demokratike Koalicioni PD-ASHM
Në këto kushte, Partia Demokratike – Koalicioni PD-ASHM kërkon nga ana institucioni juaj marrjen e masave të menjëhershme për Ardita Kuçi Drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural lidhur me shkeljet si më sipër.
Bashkëlidhur këtij denoncimi gjeni foto dhe link.
Në këto kushte, Partia Demokratike-Koalicioni PD-ASHM po paraqet zyrtarisht këtë kërkesë lidhur me denoncimin e veprimeve të përmendura më sipër që vijnë në kundërshtim me parimet demokratike dhe rregullat e parashikuara në Kodin Zgjedhor, duke kërkuar përfundimisht:
1) Nisjen e hetimit administrativ për këtë rast nga administrata e KQZ; si dhe 2) Marrjen e masave administrative përkatëse ndaj këtyre veprimeve antiligjore, sipas legjislacionit në fuqi.