Skip to content

PD do bojkotojë seancën për betimin e Presidentit të ri të dielën

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Pasditen e 24 korrikut Bajram Begaj do të marrë detyrën si presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e kalimit të detyrës nga Ilir Meta te Bajram Begaj do të nisë në orën 18.00 në sallën e parlamentit.

Në këtë seancë përveç deputetëve, janë ftuar të marrin pjesë edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë.

Por deputetët e Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha kanë vendosur të mungojnë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri, pasi për ta zgjedhja e shefit të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura në krye të shtetit është antikushtetuese.

Seanca plenare pritet të jetë e shkurtër. Sipas ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, në fillim të seancës presidenti i ri betohet para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Më pas ekzekutohet himni kombëtar i Shqipërisë dhe në fund presidenti i ri Bajram Begaj do të mbajë një fjalë para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Pas betimit në parlament, ceremonia vazhdon në selinë e presidencës.

Ceremonia e dorëzimit të detyrës nga Ilir Meta tek Bajram Begaj nis me himnin kombëtar, i cili shoqërohet me 21 të shtëna topi.

Në mënyrë simbolike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese do t’i dorëzojë Presidentit të ri, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ky moment shënon nisjen e mandatit 5-vjeçar për Bajram Begaj si kryetar i shtetit shqiptar.

Bajram Begaj u zgjodh president i Republikës në 4 qershor, me 78 vota pro, 4 vota kundër dhe një abstenim, në një seancë ku Partia Demokratike dhe aleatët e saj përveç LSI e PDIU vendosën të mos marrin pjesë në votim.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë