Besimtarët myslimanë festojnë sot në mbarë vendin festën e Fiter Bajramit. Por përçarja mes mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kreut të PD, Lulzim Basha është reflektuar edhe në këtë ditë feste në qytetin e Elbasanit.

Në pritjen zyrtare të organizuar nga myftiu i Elbasanit, nënkryetari i grupit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe kreu i grupit parlamentar, Enkeld Alibeaj, kanë shkuar të ndarë.

I pari ishte deputeti Luciano Boçi, i cili shoqërohet nga kreu i PD në Elbasan i dalë nga zgjedhjet e e zhvilluara nga Komisioni i Rithemelimit.

I pyetur për shkarkimin e Enkeled Alibeajt si kryetari i grupit parlamentar në Kuvendin e PD të mbajtur nga Berisha, ai refuzoi të përgjigjej.

Ndërsa pyetjes nëse po shmangte një takim me Alibeajn, duke shkuar të ndarë në takimin e organizuar nga myftiu, deputeti Boçi tha se nuk kishte dijeni për ardhjen e tij në Elbasan.

Luçiano Boçi: Sot është një ditë feste, për politikë flasim 364 ditë, sot flasim për shpresën, për të mirë, gëzimin dhe lumturinë. Këto do të vijnë bashkë me ngjarjen e tjera që i mirëpresim. Bashkimi është proces, shpresa është proces, dhe të gjitha duhet që së bashku t’i shërbejnë të mirës së vendit.

Pas pak do jetë Alibeaj? Po shmangi një takim me të?

Luçiano Boçi: Jo fare, madje lajmin po e marr nga ju. Do isha shumë i lumtur që bashkë me Alibeajn dhe kryetarin e PD të ishim së bashku në këtë pritje shumë të ngrohtë.

Rreth 30 minuta pas largimit të tij, mbërriti Enkeld Alibeaj i shoqëruar nga deputeti Dashnor Sula.

Alibeaj refuzoi të fliste për politikë dhe nuk komentoi shkarkimin e tij nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha.

Enkeled Alibeaj: Është ditë e shënuar për të gjithë besimtarët myslimanë. Është një ditë për ta vlerësuar, pas një muaj sakrifice, agjërimi. Pata një ftesë nga myftiu i Elbasanit, me shumë dëshirë erdha. Sigurisht më lejoni që në një ditë feste të tillë politikën ta lëmë jashtë.

U vendos shkarkimi juaj?

Enkeled Alibeaj: Është e udhës që për ditë të tilla dhe festa të tilla është më mirë t’i lëmë shqiptarët veçse të gëzojmë. Faleminderit paçi të mira e mirësi.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re