Këshilltari ligjor i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Marash Logu, deklaroi se kryeministri Edi Rama, “edhe në këto zgjedhje të pjesshme ka vënë në jetë të njëjtën skemë të masakrës zgjedhore të 25 prillit”.

“Fonde për rindërtime dhe punësime të përkohshme në këmbim të votës në Durrës dhe Rrogozhinë është skema e vënë sërish në jetë nga Edi Rama. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Partia Demokratike ka denoncuar me fakte dhe dokumente konkrete, shpërndarjen e mbi 125 milionë euro pagesa për tërmetin në këmbim të votës.
Në datën 2 shkurt, Partia Demokratike ka denoncuar në KQZ shpërndarjen e paligjshme dhe selektive të fondeve të rindërtimit nga Bashkia Durrës për 526 familje. Përgjigjja e Bashkisë Durrës në datën 14 shkurt konfirmon denoncimin e Partisë Demokratike: 526 familje përfituan fonde nga granti i rindërtimit vetëm 35 ditë përpara datës së zgjedhjeve”, tha Logu.

“Ndërkohë, në një tjetër rast flagrant të shkeljes së Kodit Zgjedhor, Partia Demokratike ka denoncuar në KQZ punësimin me kontrata 3-mujore të 29 punonjësve nga Bashkia Rrogozhinë. Punësime të kryera në datën 25 janar të këtij viti, vetëm 5 ditë pas dekretimi të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës”, shtoi Logu.

“Për Partinë Demokratike, ka qenë dhe mbetet e qartë se Edi Rama dhe mazhoranca e tij janë armiq të betuar të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Megjithëse, i vjedh gjatë gjithë kohës dhe pandalim, sa herë ka zgjedhje, Edi Rama hap thesin për të dobëtit, për hallexhinjtë, të cilët po ai vetë i katandisi në pikë të hallit, për t’u grabitur votat dhe më pas për t’i lënë në harresë në 2 apo 4 vitet e ardhshme”, thekson më tej Marash Logu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re