Demokratët e drejtuar nga Lulzim Basha janë grupi më i qetë në kampin opozitar në mesin e një beteje gjyqësore që duket se do të zgjasë disa vite. Pak ditë më parë gjykata vendosi të pezullojë kërkesën e PD së drejtuar nga basha për të regjistruar ndryshimet në statut, derisa të përfundojë shqyrtimi i cështjes së demokratëve të drejtuar nga Sali Berisha, në gjykatën e lartë. Por pezullimi nuk ishte i papritur për këtë pjesë të PD, dhe përsa kohë që ky grupim gëzon të drejtën të përdorë vulën e PD nuk është as shqetësues.

 

INDRIT SEFA

SEKRETAR PER ÇESHTJET LIGJORE

 

“Në jetën e PD dhe në funksionimin e saj të brendshëm vendimi i gjykatës nuk ka ndonjë efekt domethënës në kuptimin se si organizohet partia dhe se si organet e saj vendimarrëse janë në funksion.”

 

Edhe pse ka më shumë se dy vite që brenda demokratëve ka një betejë të ashpër se cili përfaqëson vullnetin e shumicës, gjykata deri tani ka dhënë vetëm një vendim të formës së prerë; atë që reflekton situatën e PD përpara përjashtimit të Sali Berishës në korrikun e vitit 2021, kur Basha ishte kryetar pa kontestime nga palët.

 

“Zoti Basha figuron i regjistruar  në vitin 2013. Në vitin 2017 u bë një process zgjedhor brenda PD dhe nuk ishte i regjistruar sepse vazhdonte të ishte po i njëjti kryetar dhe ligji është shprehimisht i qartë, thotë “në regjistrin e partive politike regjistrohen vetëm ndryshimet”. Po të shikoni të bëni një analizë në regjistrin e partive politike ka parti politike që kanë 30 vjet pa bërë asnjë ndryshim në atë regjistër. Ke Partinë Socialiste që ka shumë vite pa bërë asnjë ndryshim në atë regjistër.”

 

Bazuar mbi të dhënat që janë në regjistrin e partive politike, Lulzim Basha është kryetar i PD derisa sistemi gjyqësor të japë një vendim të formës së prerë për kërkesat e liderit të opozitës Sali Berisha dhe kërkesat e sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi.

 

“Nuk ka asnjë problem për ne kurdo që të shqyrtohen. Ne jemi të bindur për vendimarrjet tona”  

 

Janë 3 palë brenda PD që i janë drejtuar gjykatës për logon dhe vulën e partisë demokratike dhe të gjitha këto kërkesa sipas ligjit shqyrtohen në bazë të kohës kur janë paraqitur; cështja e parë është ajo e Berishes, i cili prej 2 vitesh kërkon njohjen e kuvendit të 11 dhjetorit dhe aktuliasht prêt vendimin e Gjykatës së Lartë. Cështja e dytë është ajo e gazment bardhit që i kërkon gjykatës të mos njohë procesin për rizgjedhjen e Lulzim Bashës në krye te PD. Dhe cështja e 3 lidhet me legjitimin e Bashës si kryetar i PD.

 

Nisur nga ritmi më të cilin po shqyrtohet kërkesa e liderit historik të PD,  Sali Berisha, ka pak gjasa që debati gjyqësor për logon e pd të mbyllet para zgjedhjeve parlamentare te vitit 2025 e mbetet për tu parë nëse të demokratët do të arrijnë apo jo një marrëveshje politike për betejën përballë kryemjinistrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re