Përplasjet në politikën shqiptare këtë të dielë, rinxorrën në skenë dhëndërrin e ish-kryeministrit Berisha, i cili replikoi me kryebashkiakun Veliaj në lidhje me fatin e një pjese të territorit të Gardës së Republikës. Sipas Jamambër Malltezit, Sekretar në PD për çështjet e Mjedisit, ca ndërtime aty do kafshojnë mushkërinë e Tiranës.

“Të dy heshtën dhe akoma nuk kanë dhënë llogari për vendimin e tyre, i cili lejon që kryeqytetit t’i hiqet një pjesë e mushkërisë së tij për t’u zëvendësuar me beton. Këta janë të njëjtët që heshtën, kur ne denoncuam se brenda Parkut të Liqenit, dy mikeshat e Edi Ramës, po ndërtonin vila në kundërshtim me çdo ligj në fuqi. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kafshimi i Parkut të Liqenit për interesat e mafias së ndërtimit, të lidhur me Bashkinë dhe me Qeverinë, është pjesë e Planit të ri të Tiranës”, tha Malltezi, deklarata e të cilit u pasua nga ajo e Veliajt.

Dhe nuk dihet pse kjo është marrë me vettingun, SPAK-un apo BKH-në, kur është fjala për të sqaruar se çdo të ndodhë realisht me një pjesë të territorit të Gardës.

“Unë e kuptoj shqetësimin e Partisë Demokratike! Të gjitha këto kanë qenë llokma të prenotuara për kunetër, për vjehërr. E kuptoj shqetësimin e tyre, duhet të jenë realisht të tronditur që kjo hapësirë i shkon qytetit dhe jo kunetërve. Fakti që dalin përditë, përditë për këtë hapësirë, do të thotë se u ka dhembur shumë fakti që këtë hapësirë do e gëzojnë qytetarët e Tiranës dhe jo ata që, në fakt, duhet të kalojnë në vetting. Prandaj, të gjithë jemi buzagaz kur dëgjojmë për vettingun e Lul Bashës, sepse ne presim vettingun e SPAK dhe BKH, që i shkon edhe vjehrrit, edhe kunatit, gjithë fisit e farës ku parkohen asetet e vjedhura nga ky vend. Ndërkohë, marrim sot një version komplet të holluar, ku vettingun e bëjnë vetë politikanët, ku nuk preken vjehërrit e kunetërit, dhe ku sigurisht, nuk japin llogari për gjithë dëmet që i kanë bërë këtij vendi. Por, ne kemi nevojë për një vetting të vërtetë, kemi nevojë për agjenci të vërteta që i menaxhojnë këto asete, dhe jo për vjehërrit e kunetërit”, shprehet Veliaj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re