Skip to content

PD kërkon më shumë bashki/ Bylykbashi, grupit të Alibeajt: Mos bëni pazar me Ramën

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Partia Demokratike ka vendosur të dalë me një propozim konkret për reformën territoriale edhe pse nuk është pjesë e Komisionit të Posaçëm të ngritur për këtë qëllim.

 

Në selinë e PD prej javësh po punon një grup ekspertësh dhe qëndrimi i partisë më të madhe të opozitës është që vendi të ketë një numër më të madh bashkish, nga 80 deri në 120 bashki, si rruga e duhur që njësitë vendore të jenë eficente nga pikëpamja ekonomike dhe të rrisin cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

 

Sipas nënkryetarit të PD, Oerd Bylykbashi, kushti kryesor që reforma territoriale të jetë e qëndrueshme është konsensusi politik dhe Partia Demokratike do të mbrojë në parlament draftin e saj, pavarësisht se nuk ka asnjë anëtar në Komisionin e Posaçëm.

 

OERD BYLYKBASHI

NENKRYETAR I PD

“Ne pavarësisht të gjithë kësaj do të bëjmë propozim konkret, propozim jo vetëm me ekspertët më të mirë, jo vetëm me konsultime në terren, por bazuar mbi një ekspertizë si ajo që tha zoti Asllani. Dy projekte të mëdha kanë çuar në një hartë ku diskutimi është mes 80 dhe 120 bashkive. ”

 

Bylykbashi ka pasur një apel edhe për të gjithë deputetët demokratë që nuk e njohin Sali Berishën si kryetar të PD.

OERD BYLYKBASHI

“Reformat nuk janë kurrë as për të mbyllur pazare të vogla, nuk janë as për protagonizëm politik. Ne do të çojmë përpara qëndrimin politik. Të gjithë deputetët e PD që do i bashkohen qëndrimit të Partisë Demokratike duhet të bëjnë të mundur që PS të mos arrijë objektivin për të bërë 94 vota për ndryshimin e kushtetutës, për të bërë pazare në kushtetutë dhe as 84 vota për të miratuar një hartë që është vetëm qoka, mbyllje pazaresh të vogla në kuadër të interesave të caktuar politike.”

 

Pazari që sipas PD kërkon mazhoranca nga deputetët që njohin Alibeajn në krye të grupit është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

 

IVI KASO

SEKRETAR PER ÇESHTJET LIGJORE DHE ZGJEDHORE

“Rajonet e famshme të cilat janë artikuluar nga mazhoranca dhe që janë prioritetet e tyre në reformën territoriale të shndërrohen në kalin e Trojës për të prekur kushtetutën dhe për t’i dhënë mazhorancës atë që do dhe që ka qëllimin e vërtetë, primin e mazhorancës, që praktikisht do të thotë pushtet pa vote.” 

 

Edhe pse Partia Demokratike dhe Sali Berisha nuk mund të kushtëzojnë me votë asnjë reformë, javën e ardhshme Berisha do të jetë në Fier, Shkodër e Korçë për të zhvilluar konsultime për hartën territoriale.

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë