Partia Demokratike ka akuzuar policinë e prokurorinë se kanë mbrojtur masakrën zgjedhore në Elbasan duke paralajmëruar të tjera fakte të vjedhjes e blerjes së votës në mbarë vendin.

Në një deklaratë nga selia blu, Alibeaj tha se çdo ditë e më shumë po dalin në pah fakte, prova e dëshmi të veprimeve të dyshes Rama-Doshi e bandave të pushtetit për të vjedhur zgjedhjet.

Alibeaj e shoqëroi denoncimin e tij me dy video, ku e para ka të bëjë me deklaratën e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu e prokurorisë për provat e gjetura në një makinë në Elbasan, ku dy ditë para zgjedhjeve u vra Pjerin Xhuvani e u plagosën katër persona të tjerë.

Ndërsa më tej Alibeaj shton se pas zgjedhjeve, në një deklaratë të prokurorisë rezulton se në makinën pa targa pranë vendit të përplajes me armë u gjetën fotokopje kartash identiteti e fatura parash.

“Te dashur qytetarë, Sot po luftojmë për demokracinë në vendin tonë. Çdo ditë dalin në pah fakte, prova dhe dëshmi të akteve të Ramës –Doshit dhe bandave të pushtetit për të vjedhur zgjedhjet.Në video që do të ndjekim tani, të gjithë do të shihni dhe dëgjoni se si prokurori para zgjedhjeve thotë se nuk kishte asnjë provë në makinat e bandave të Elbasanit. Ndërsa pas zgjedhjeve, prokurori deklaron të kundërtën. Ai thotë se policia gjeti para dhe karta identiteti në makinë” – thotë Alibeaj.

Ai shton se shqiptarët janë të vetëdijshëm si kanë vepruar Edi Rama e Tom Doshi dhe bandat e pushtetit për të vjedhur e blerë rezultatet e zgjedhjeve duke paralajmëruar se në ditët në vijim do publikohen të tjera fakte.

“Kjo që shihni këtu është vetëm maja e ajsbergut. Të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm se se si kanë vepruar Rama-Doshi dhe bandat e pushtetit për të vjedhur dhe blerë rezultatet e zgjedhjeve. Të tjera fakte dhe të dhëna do të publikohen në ditët në vijim. Një gjë është e sigurta. Ne do të luftojmë me gjithë fuqinë dhe besimin që qytetarët na dhanë në këto zgjedhje, në mënyrë që të rrëzojmë regjimin Rama-Doshi” – mbyll deklaratën Alibeaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re