Individë të afërt me PD nuk e kanë pranuar faktin që kjo parti, me tipare anti-komuniste, të ketë luhatje idelogjike deri në pikën e përfshirjes së 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve sipas përcaktimit dhe kalendarit komunist, në axhendën e saj nderuese.

Bledar Komini dhe Edvin Cami, dy profesorë, e kanë shprehur në rrjete sociale papajtueshmërinë e tyre individuale karshi kësaj zgjedhje të lidershipit demokrat, duke ofruar persënë e refuzimit për të qenë në një linjë me PD-në sa i përket këtij rasti.

“Nëse PD shpall dekomunistizimin e shoqerisë n’statut të saj (me ndryshimet e reja), ç’kuptim ka nderimi në 5 maj te “varrezat e deshmorëve”?

Me bindje të plotë, e them, dhe jo vetëm unë, se sigurisht që prej atyre që janë varrosur aty ka bijë nënash që realisht kanë dhënë jetën për ideal e atdhe, por fatkeqësisht përdorimi i tyre nga Partia Komuniste gjatë luftës dhe pas saj, e kthen në një farsë “nderimin” e 5 majit që kërkohet të bëhet karshi tyre prej forcave të djathta.

Në antitezë (nëse e marrim të mirëqenë nderimin e dëshmorëve), do duhej gjithashtu që një angazhim kaq i madh, të ishte njëkohesisht edhe për viktimat e komunizmit e në mos, ky angazhim të ishte kolosal në këto vite, gjë e cila nuk rezulton qartë”, shkruan prof. Komini

 

“Sapo më erdhi një ftesë nga Partia Demokratike e Shqipërisë që të jem nesër i pranishëm në varrezat e kodrës së Fuat Beut, të quajtura ndryshe “varrezat e dëshmorëve”. Aty, me sa duket, do të nderohet 5 maji, që evokon si “ditë të dëshmorëve” datën kur është vrarë Qemal Stafa, emrin e të cilit mban sot fondacioni që ka themeluar shoku Sajmir Tahiri, si dhe që ka drejtuar kohë para shoqes Jozela, shokut Pandi dhe Lisjen Bashkurtit organizatën e rinisë të PKSH (sot PS). Unë nuk do të jem i pranishëm në këtë veprimtari. Duke mos qenë më – shyqyr Zotit! – anëtar i BRPSH dhe tashmë veçanërisht si anëtar i Kongresit dhe votues i statutit të ri të Partisë Demokratike, gjykoj se angazhimi i demokratëve në kujtim të një date të tillë bie në kundërshtim me pikën 1e të nenit 2 të statutit, ku theksohet angazhimi për “dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare si një mision i vazhdueshëm”. Unë mendoj se Partia Demokratike, në çështjen e Luftës II Botërore, duhet t’u bashkohet aleatëve të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, të cilët njohin si ditë dëshmorësh një tjetër ditë dhe e përkutjojnë atë në varrezat e të rënëve të betejës së Grehotit”, shkruan prof. Cami.

Ndërkohë kujtojmë se e njëjta gjë nuk ka ndodhur me datën e çlirimit. Sapo erdhi në pushtet, PD e kaloi atë nga 29-ta te 28-ta me argumentimin se e para ishte një sajesë e ish-regjimit për ta patur një datë çlirimi me Jugosllavinë. Sot e kësaj dite, debati 28-ta apo 29-ta, nuk ka marrë akoma zgjidhje, ndërkohë që PD mbetet stoike duke u shfaqur me kurora dhe solemnitet nën hijen e Nënës Shqipëri vetëm me datë 28.    

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re