Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes politike për Reformën Zgjedhore, Partia Demokratike ka ndezur motorët e fushatës.

Këtë të diel, kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur Kryesinë e Partisë, ku ka kërkuar nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

PD pritet të zhvillojë gjithë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë me parimin “një anëtar, një votë”. Ndërkohë, ky proces pritet të nisë nga 20 qershori deri më 15 shtator, duke e mbajtur të angazhuar në maksimum bazën e Partisë Demokratike.

Kujtojmë se pas një jave takime intensive mes palëve politike dhe ndërkombëtarëve, politika shqiptare arriti një marrëveshje për Reformën Zgjedhore. Mazhoranca pranoi disa prej propozimeve kyçe të opozitës për realizimin e kësaj reforme, ku mes tyre ishte edhe depolitizimi i administratës zgjedhore.

Procesi do të realizohet sipas afateve të mëposhtme:

1. Brenda datës 15 qershor 2020, Sekretari i Përgjithshëm të propozojë për miratim në Kryesi, udhëzimin përkatës për realizimin e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidatëve.

2. Procesi në nivel Dege për evidentimin/përzgjedhjen të realizohet në periudhën 20 qershor – 31 korrik 2020.

3. Brenda datës 1 gusht 2020 të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pranë PDSH-së.

4. Procesi i seleksionimit të kandidaturave të realizohet në periudhën 1 gusht – 30 gusht 2020.

5. Procesi i konsultimit të kandidatëve të realizohet në periudhën 1 shtator – 15 shtator 2020.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re