Partia Demokratike do të krijojë një grup pune me anë të së cilës synohet gjetja e një zgjidhje të përbashkët për situatën brenda selisë blu.

PD njofton se në këtë grup pune do të përfshihen anëtarë të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve.

Një ftesë, selia blu e ka edhe për deputetët e Komisionit të Rithemelimit që t’i bashkohen me numër të barabartë anëtarësh kësaj strukture për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Deklarata

1.Kryesia e Partisë apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të rishikojë pozicionin e deritanishëm përçarës mes demokratëve. Nga përçarja dhe konflikti i brendshëm mes demokratëve dëmtohet Partia Demokratike dhe përfiton vetëm regjimi i Edi Ramës.

2.Kryesia e Partisë bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo iniciative dhe procesi të njëanshëm, që është duke u kryer në bazën e partisë, sepse përbëjnë akte përçarëse mes demokratëve. Kjo do të konsiderohej si shprehje vullneti për fillimin e procesit të bashkimit.

3.Kryesia e Partisë shpall vullnetin e saj për të bërë gjithçka në funksion të bashkimit dhe fton zyrtarisht në bisedime kolegët e palës tjetër. Për këtë qëllim krijohet një grup pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve, duke ftuar që pjesë e këtij grupi pune ti’ bashkohen në numër të barabartë edhe përfaqësues të kolegëve të palës tjetër. Për konkretizimin e kësaj formule ngarkohet Kryetari i komanduar i PDSH.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re