Partia Demokratike e quan skandaloz fakitin që kompania INK do të mbikëqyrë cilësinë e punimeve te projekti i “Unazës së Re”. Sipas ish-deputetit Klevis Balliu kjo kompani paguhet nga Salillari si mbikëqyrëse për koncesionin e rrugës së kombit, ku operon së bashku me Kastratin

“2 nga 3 segmentet e projektit korruptiv që prish pa dëmshpërblim shtëpitë e qytetarëve, do t’i ndërtojë kompania Salillari. Praktikisht, ajo do t’i mbikëqyrë po vetë punimet tek ‘Unaza’, pasi kompania e përzgjedhur në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimit publik është në konflikt të hapur interesi.

Kompania INK, që duhet të mbikëqyrë cilësinë e punimeve tek Unaza paguhet nga Salillari si mbikëqyrëse për koncesionin e rrugës së kombit, ku operon së bashku me Kastratin. Kjo është shkelje flagrante e ligjit të Prokurimeve.  Qëllimi është i qartë dhe një i vetëm; të vidhet çdo qindarkë në kurriz të qytetarëve shqiptar. Salillari të bëjë sikur punon dhe INK, që merr para në një projekt tjetër nga Salillari, të bëjë sikur gjithçka është në rregull” – tha Balliu.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të mos qëndrojë pasive në akte të tilla të shkeljes së ligjit, që kanë si bazë marrëdhënien korruptive, vjedhjen e parave publike duke mashtruar me cilësinë e punimeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re