Taulant Balla është shndërruar tashmë në shënjestrën e opozitës, ku emri i tij del në çdo akuzë, edhe pse politikani i lartë i së majtës nuk ka patur e nuk ka ndonjë rol ekzekutiv. Një prurje e Nanos në mandatin e dytë si kryeministër, politikani librazhdas do shndërrohej në opozitën e Ramës si ndër ndër zërat më të fuqëishëm denoncues të qeverisjes Berisha. Kjo bëri që ndaj tij, krerët më të lartë të selisë blu, Berisha e Topalli, të nxirrnin nga goja fraza me mungesë të theksuar etike, siç “ta bëj ftyren si shollë kpuce” (Berisha) a “kapeni për zhelesh e nxjerreni jashtë” (Topalli). Pos kësaj, Balla u çua dhe në gjykatë nga fëmijët e Berishës, në një proces për akuzë të rreme.

Dhe tashmë në kushte pushteti, atij po i kthehet restoja duke u vënë rregullisht nën akuzë nga opozita, e që rregullisht po çon aktorët kryesorë të saj në gjykatë. Balla ka paralajmëruar tjetër kallzim të hënën, pasi Salianji – shndërruar tashmë tashmë në emblemë të opozitës me akuzat pa hesap që hedh çdo ditë – e akuzoi kreun e grupit parlamentar socialist për një sërë udhëtimesh më çartera me shtetasin Edmond Bego, një ish-i dënuar nga drejtësia italiane.

Por a ka qenë e është vërtet Balla më luftaraku në PS karshi PD-së? Jo! Më gojëhidhur se ai, ka qenë e është Erjon Braçe. Madje në kushte opozite, politikani i traditës socialiste, me mbi një dekade më tepër se Balla në politikë e parti, ishte simboli i denoncimeve ndaj pushtetit të Berishës, sidomos në aspekte të krimit ekonomik e financiar në afëra korruptive. Shfaqjet e tij denoncuese në parlament duke tundur dokumenta kompromentues në duar, ishin ndër më spektakolare të të bërit opozitë. Por çuditërisht, veç disa tendencave tangentale për ta implikuar në në ndonjë çështje, PD asnjëherë nuk i është përveshur Braçes me akuza. Jo vetëm kaq, por as në replika. Kur politikani socialist dilte dhe ofronte shifra skandalesh qeveritare, askush nuk i përgjigjej. I gjithë reagimi ndaj Braçes ka qenë në formën e sharjeve nëpër dhëmbë, por kurrë ballas. Madje dhe sot, Erjon Braçe është po aq i ashpër, ku si verbalisht në parlament e si tekstualisht në rrjete, godet rëndë lidershipin opozitar, por megjithatë mbetet i pashënjestruar. Shpjegimi: diferencat në profil, ligjërim dhe prestigj politik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re