Enno Bozdo ka thënë në emisionin “Ditari” në A2 CNN se Partia Demokratike ka “ndërmarrë disa hapa që kanë lidhje me bërjen gati të strukturës për zgjedhjet e parakohshme”.

“Kemi ndërmarrë disa hapa në pritshmëritë që kemi për zgjedhjet e parakohshme, mundësisht brenda këtij viti.

Duhet të mbyllim të gjithë pjesën organizative në mënyrë që sapo të shpallet data e zgjedhjeve, partia të jetë gati me strukturën dhe infrastrukturën e saj”, tha Bozdo.

Pavarësisht pretendimeve të Bozdos se po përgatiten për zgjedhje të parakohshme, në mbledhjen e një jave më parë me “kupolën” e PD-së, Lulzim Basha tha se nuk janë gati për zgjedhje të parakohshme.

Kur u pyet nëse në javët në vijim do të ketë protesta të tjera të opozitës së bashkuar, Bozdo ndërkohë deklaroi se kjo periudhë nuk është e përshtatshme për protesta.

“Nuk do të ketë protesta tani, pasi klima e nxehtë, stina e pushimeve dhe vëmendja e larguar e publikut e bëjnë jo të efektshme organizimin e protestave.

Kjo është koha për të punuar për strukturën në mënyrë që shtatori të na gjejë gati”, theksoi Bozdo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re