Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se bashkëpunon me persona të shpallur “non grata” për fushatën e zgjedhjeve të 6 Marsit.

Sipas një deklarate të bërë nga selia blu, deputeti demokrat Ervin Salianji tha se Rama në Shkodër e Durrës ka vënë në krye të fushatës zgjedhore Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, të dy të shpallur “non grata”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN SALIANJI

Pa miratimin e Tomës asgjë nuk mund të ndodhë në Shkodër.

Edi Rama i ka dorëzuar Tom Doshit çelësat e qeverisjes së Shkodrës.

Tom Doshi vendos, kush hyn në punë, kush bëhet shef dhe drejtor, kush merr tendera, kush bëhet deputet e së fundmi siç e thotë dhe vetë kush kandidon për kryetare bashkie.

Edhe pse i shpallur “non grata” nga SHBA, Edi Rama e ka emëruar Tom Doshin  si drejtues politik dhe shef të fushatës së kandidates së PS në Shkodër. Edi Rama bëri sikur e largoi Tom Doshin pas shpalljes “non grata”, po çdo shqiptar e di, e më shumë se kushdo tjetër socialistët shkodranë, e dinë se pa miratimin e Tom Doshit asnjë vendim nuk merret në Shkodër.

Pyetja që shtohet para socialistëve dhe qytetarëve shkodranë është;

A janë ata të gatshëm ti dorëzojnë bashkinë Tom Doshit?

A e pranojnë ata që çdo vendim në bashki të merret për llogari të një non grate të SHBA?

A ka turp më të madh për socilistët që gjithçka në emër të tyre ta vendosë Tom Doshi?

Krahas Tom Doshit në Shkodër, Edi Rama ka aktivizuar edhe Vangjush Dakon në Durrës. Çdo durrsak e di që kandidatja është vegla e Dakos. Socialistëve durrsakë ua zgjedh kandidaten një tjetër non grata nga SHBA.

Edi Rama nuk ndahet nga “non gratat”. Sepse pa ta, ai, asnjë dite nuk do të qëndronte në pushtet.

Dhe sot gjithë pushtetin ua ka dorëzuar atyre në këmbim të shitblerjes së votave.

Sepse këta nuk duan që Shqipëria të ndryshojë!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re