Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha premton publikisht se nuk do të votojë një sistem zgjedhor me prim.

Pak ditë pasi kreu i Grupit Parlamentar socialist Bledi Çuçi foli për preferencën e mazhorancës për primin, pjesa e demokratëve të drejtuar nga Basha sqarojnë se nuk do të miratojnë një ndryshim të tillë sistemi, edhe nëse PS bie dakord të votojë pro disa prej propozimeve të tyre për reformën zgjedhore.

“Kurrë një marrëveshje ku përfshihet primi nuk do të votohet nga Partia Demokratike dhe kjo është përfundimtare”, tha sekretari për çështjet zgjedhore, Indrit Sefa.

Sipas Sefës prioritet për këtë pjesë të PD janë listat e hapura dhe miratimi i një sistemi zgjedhor proporcional kombëtar.

“Listat e hapura janë prioritet thelbësor i PD, Shqipëria një zonë zgjedhore siç jeni në dijeni ne kemi qenë të hapur prej shtatorit që kjo pjesë edhe mund të negociohet për të arritur në 3 ose 4 zona”, tha Sef.

Greqia ka një sistem miks me prim dhe partia që del e para në zgjedhje fiton automatikisht një numër të caktuar deputetesh plus, në rastin e vendit fqinj 50 deputetë plus merr automatikisht partia që renditet e para në zgjedhje.

Duke qenë se prej vitit 97 PS është renditur e para në proceset elektorale në vend, socialistët nuk e kanë fshehur preferencën për këtë sistem.

Por lideri i mazhorancës Rama ka vetëm 78 vota e për të ndryshuar sistemin i duhet aleatë nga opozita, e cila pavarësisht përçarjes deri tani të paktën duket e unifikuar në qëndrimin kundër primit./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re