Analisti dhe gazetari Lavdrim Lita ka komentuar aksionin politik të opozitës dhe mundësinë e një greve urie nga Partia Demokratike, duke theksuar se aktualisht PD nuk ka mbështetjen ndërkombëtare që ka pasur në raste të mëparshme.

I ftuar në emisionin “Studio24”, Lita u shpreh se opozita ka arritur pak rezultate konkrete, por sipas tij po përmbush rolin e saj kundër qeverisë.

“Ka arritur shumë pak gjëra, por po tregon se është opozitë ndaj qeverisë. Po bën detyrën e saj funksionale kundrejt qeverisë”, deklaroi ai.

Duke komentuar skenarët për ngujim apo grevë urie, analisti solli në vëmendje precedentët politikë në Shqipëri, duke përmendur grevën e Pjetër Arbnorit dhe çadrën e protestës së ngritur nga Lulzim Basha.

“Kemi pasur disa raste, atë të Pjetër Arbnorit, ngujimin e PS “Hap kutitë ose largohu” dhe çadrën e Lulzim Bashës. Ka pasur një interlokutor ndërkombëtar që i ka shkelur syrin opozitës në këto raste duke i thënë futuni se do tju nxjerrim. U bë darka e Krokodilit ose/apo qeveria teknike ”, u shpreh Lita.

Sipas tij, situata aktuale është ndryshe, pasi opozita nuk ka sinjale mbështetëse nga partnerët ndërkombëtarë.

“Për momentin PD nuk e ka këtë shkelje syri nga ndërkombëtarët që të futen në grevë urie dhe më pas t’i nxjerrin. Duke mos pasur këtë garanci, ka nervozizëm”, tha ai.

Lita ironizoi gjithashtu deklaratat e opozitës për mosnjohjen e zgjedhjeve, duke akuzuar vetë partitë politike për mënyrën se si kanë trajtuar reformën zgjedhore dhe Kodin Zgjedhor.

“Më vjen të qesh kur thonë që nuk njohin zgjedhjet. E kanë pasur vetë në dorë dhe kur vjen momenti të mendojnë kodin zgjedhor mbyllen në një zyrë të Kuvendit dhe vendosin si duan kryetarët, pa transparencë”, deklaroi analisti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re