Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me masat e rrepta të qeverisë për qarkullimin e makinave.

PD pretendon se kjo masë nuk i shërben këtij qëllimi dhe se tregon paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e situatës.

Sipas tyre, lejimi i lëvizjes së automjeteve në mëngjes dhe 1 orë pasdite zgjidh vetëm lëvizjen me makinë të drejtorëve të Edi Ramës.

“Koronavirusi nuk infekton part time, sipas orareve që cakton nga shtëpia Edi Rama. Ose ka, ose nuk ka karantinë.

Ose lejohet lëvizja për punë në oraret individuale të punës, ose nuk lejohet! Vendimet gjysmake janë si të vërtetat gjysmake, dëmtojnë më shumë.

Partia Demokratike vlerëson se për shkak të situatës së krijuar, karantina totale, për një periudhë 14 ditore fillimisht, është një zgjidhje që ndihmon në mospërhapjen e gjerë të virusit dhe për të vlerësuar përmasat e përhapjes së tij nga ekspertët.

Në kushtet kur qeveria nuk përmbush detyrimin ligjor që të dezinfektojë rrugët, parqet apo pallatet, qytetarët duhet të qendrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur.

Kjo masë duhet të shoqërohet menjëherë me miratimin nga qeveria të paketës së masave për pasojat social-ekonomike të krizës”, deklaron PD.

Demokratët kërkojnë që shteti duhet të rimbursojë të plotë pagën e qytetarëve që janë mbyllur nëpër banesa.

“Në vend që të bëjë mjekun, sanitarin, policin apo ushtarin, Edi Rama duhet të bëjë tani Kryeministrin! Të miratojë paketën social ekonomike, që përfshin, ndër të tjera:

1. Riimbursimin e bizneseve

2. Rimbursimin e pagës së punonjësve

3. Ndihmën për të papunët dhe familjet në nevojë

Jeta e shqiptarëve nuk ka çmim!”, nënvizon PD.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re