Partia Demokratike, komenton sërish vrasjen e shoferit të Ministrit Xhafaj, duke e cilësuar si një vrasje mafioze.
Përmes një deklarate për mediat, PD thekson se ishte ajo që e publikoi vrasjen e 30-vjeccarit Shkelzen Qordja, pasi ministri i Brendshëm dhe Garda e mbajtën të fshehtë.
Gjithashtu PD i bën thirrje Xhafajt që të japë menjëherë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë hetimit.
“Sot Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme fshehën ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardes së Republikës. Për dijeni të publikut, vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës iu bë e njohur medias dhe publikut nga Partia Demokratike menjëherë sapo ne morëm informacionin.
Që prej fillimit, pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Policia private e Fatmir Xhafës po bën çdo përpjekje që ajo të duket si një vetëvrasje me 3 plumba.
Por ne jemi të bindur se ngjarja është një vrasje mafioze, ndoshta edhe më e rrezikshme sesa vrasja e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku në mes te bulevardit në vitin 2003.
Në njoftimin e vet, Policia e Fatmir Xhafës nuk jepte shpjegime sesi ka mundësi që brenda Gardës së Republikës askush nuk ka dëgjuar 3 të shtëna armë me breshëri automatiku, siç thuhet në njoftim!
Kjo dhe rrethana të tjera që po i verifikojmë, tregon se vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës është e tipit mafioz, e kryer me silenciator.
Me një Polici që e kontrollon vetë, me një Prokurori plotësisht nën urdhrat e tij, Fatmir Xhafaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen! Të mos fshihet pas lotëve të krokodilit, por të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një hetimi të pavarur.
Me Fatmir Xhafën Ministër të Brendshëm, e vërteta e vrasjes mafioze nuk do të dalë në dritë!”
Më herët në reagimin e tij Xhafaj theksoi se nuk mund ti ndalonte hienat politike të mos sulen mbi të vdekurin, por ju bën thirrje mediave që të kenë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve.



