Partia Demokratike ka zhvendosur protestën kombëtare më datë 7 tetor, protestë e cila ishte parashikuar të mbahej më datë 6 tetor.

Deputeti i PD, Edi Paloka, bëri më dije gjate mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, se protesta do të nisë të hënë në orën 18:00 para kryeministrisë dhe më pas do të shtrihet në të gjithë rrugët e Tiranës.

“Partia Demokratike më 7 tetor, në orën 18:00, fton qytetarët të bëhen bashkë në Tiranë të bashkohet kundër padrejtësive. Mos pajtimi me padrejtësinë dhe më të keqen, fillon nga Kryeministria dhe do të shtrihet në të gjithë rrugët e Tiranës”, tha Paloka.

Kujtojmë se Këshilli Kombëtar i PD-së u mblodh sot, dy ditë pas dënimit me një vit burg të deputetit demokrat, Ervin Salianji, për kallëzim të rremë.

Salianji po vuan dënimin në bugun e Fierit, ndërsa demokratët e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj tij si një proces gjyqësor politik.

VENDIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjesuar.

Në Shqipëri, një person i vetëm, Kryeministri, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e tij.

Ka asgjesuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes bllokimit prej 11 vjtësh të një Reforme Zgjedhore kuptimplotë, duke mos reflektuar asnjë prej Rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Shkelja e barazisë së palëve në zgjedhje dhe mohimi i të drejtës për Qeveri asnjanëse Teknike për zgjedhjet e ardhshme, synojnë deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik.

Edi Rama përdor Parlamentin, drejtësinë dhe mediat për të ruajtur pushtetin e tij personal dhe për të rrënuar ekonomikisht qytetarët shqiptarë.

Maxhoranca në Parlament refuzon me votë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të tij përpara drejtësisë.

Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie antikushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitarë, duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik.

Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, pas një fushate publike deniguese nga kryeministri dhe pas një fitorje të pritshme të tij si kryebashkiak. Ndaj tij nuk u paraqit asnjë provë dhe nuk u lejua të betohej pas fitores së zgjedhjeve, sepse kryeministri e sheh Jugun e Shqipërisë si një pronë private për t’u pasururar përmes korrupsionit.

Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të brendshëm. Burgosja e një deputeti pa ligj dhe prova është mesazh politik për heshtjen e opozitës, asgjesimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes.

Për këtë arsye, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike:

Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re