Hiqini Rusisë dhe Bjellorusisë të drejtat e hyrjes në të dhënat e Interpolit dhe më pas pezullojini ato krejtësisht nga Interpoli, thuhet në kërkesen që përmban raporti i miratuar me 607 vota pro, 13 kundër dhe 11 abstenime nga Parlamenti Evropian në lidhje me marrëveshjen e re të bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.

 

Në tekst, eurodeputetët theksojnë se pushtimi rus i Ukrainës është një kërcënim i drejtpërdrejtë për bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet e zbatimit të ligjit dhe qasja e vazhdueshme e Rusisë në të dhënat e Interpolit po rrezikon bashkëpunimin e BE-së me Organizatën.

 

Sipas raportit, marrëveshja duhet të garantojë gjithashtu akses në bazat e të dhënave të Interpolit nga agjencitë BE-ja përkatëse: Europol (Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit), Eppo (Zyra e Prokurorit Publik Evropian), Eurojust (Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale) dhe Frontex (Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Rojës Bregdetare).

 

Si pjesë e marrëveshjes, eurodeputetët kërkojnë garanci për respektimin e rregullave evropiane për mbrojtjen e të dhënave dhe garancinë që të dhënat personale nuk mund të përdoren në lidhje me dënimet me vdekje ose trajtimin çnjerëzor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re