Me 519 vota pro, 52 kundër dhe 28 abstenim, Parlamenti Evropian miratoi progres raportin e vitit 2021 për Shqipërinë. Eurodeputetet rekomandojnë këshillin që në samitin e muajit qershor të vendosë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Tiranën, pasi kushtet për këtë janë përmbushur.  Raportuesja për Shqipërinë në organin ligjvënës të bllokut, Isabel Santos bëri thirrje që Tirana të mos mbetet më peng i bisedimeve paralele.

 

“Edhe pse ka akoma punë për të bërë me reformat, Shqipëria i ka plotësuar kushtet kyçe për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Jemi thuajse në gjysmën e vitit 2022 dhe Shqipëria është akoma në pritje. Kjo bllokadë ka reflektuar zhgënjim në mesin e njerëzve por edhe autoriteteve, gjë që përbën një kërcënim për vendin dhe projektin evropian. Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare duhet të vendoset në axhendë brenda presidencës franceze. Duhet të lëvizim.”-tha raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Izabel Santos.

 

Eurodeputetët gjithashtu miratuan progres raportin për Maqedoninë e Veriut me 508 vota pro, 56 kundër dhe 35 abstenim.

 

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell në takimin me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor javën e kaluar, i dërgoi një mesazh të qartë këshillit evropian duke deklaruar se një përgjigje negative për Tiranën dhe Shkupin, edhe në muajin qershor do të shkaktonte një krizë marrëdhëniesh mes bllokut dhe dy vendeve kandidate.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re