Shezai Rrokaj dhe Valentina Duka, dy pedagogët e njohur të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u larguan përfundimisht nga politika. Ata ishin bërë deputetë, përkatësisht Rrokaj për LSI dhe Duka për PD, por me aksionin e fundit opozitar “djegien e mandateve”, ata jo vetëm lanë parlamentin, por edhe partitë ku aderonin.

Valentina Duka dhe Shezai Rrokaj i janë kthyer përfundimisht dhe me kohë të plotë auditorëve duke i kthyer shpinën një parlamenti konfliktesh.

“Të them të vërtetën, ashtu si u katandis ky Parlament, më mirë
në auditorë, unë isha pedagog i jashtëm më parë, tani ndihem plotësisht
në lëkurën time”, thotë Shezai Rrokaj. “Më mirë në auditorë, mendoj se
jam kthyer përfundimisht këtu për të mos e lënë më kurrë. Veten time e
mendoj më frytdhënëse në ambientin akademik”, thotë zonja Duka.

Të dy thonë për “A2 CNN” se hynë në parlament për ideal, por u larguan të zhgënyer.

“Jam i zhgënjyer, patjetër, sepse nuk pata mundësinë që në të
gjitha rastet nuk patëm mundësi të shpalosnim në mënyrë profesionale të
gjithë ato mendime që ne kemi. Parlamenti është kthyer në një tautologji
grindjesh, sherresh, linçimesh, deformimesh”, shprehet Rrokaj.

“Tre muajt e parë të Parlamentit kujtoj që kam dëgjuar atje
fjalime shumë interesante, por pas janarit të vitit 2018 vajtja në
Parlament u bë shumë e bezdisur”, kujton Duka.

Pas dorëzimit të mandateve më 21 shkurt, Rrokaj dhe Duka iu rikthyen
fakultetit, sipas kontratës që kishin me Universitetin e Tiranës.

Por a do t’i pranojnë ata privilegjet që i lë pas detyra e ligjvënësit?

“Si dekane, kisha një diferencë shumë të vogël, 20 apo 30 mijë
lek të vjetra në krahasim me rrogën që merrja si deputete. Di që do të
marr shumë pak, një shtesë mbi rrogën time, por jo gjysmën e pagës dhe
nuk e di ç’do të fitoj për pensionin, që në raport edhe me atë që do të
fitoj si profesore, nuk është ndonjë ndryshim i madh”, thotë Duka.

“Çdo gjë që më takon, natyrisht nuk e kuptoj pse nuk duhet ta marr, jemi brenda një ligji dhe çdo gjë që është ligjore është e pranueshme për mua”, shprehet Rrokaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re