Luljeta Bozo është gruaja me vullnet të hekurt, shpirt luftarak dhe gojë ëmbël. E diplomuar në inxhinieri ndërtimi dhe me 58 vite eksperiencë në mësimdhënie, Luljeta Bozo tani është deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Për kontributet e saj dhe vlerat që përcjell, Luljeta Bozo ishte e ftuar mëngjesin e sotëm në “7pa5” në Vizion Plus të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrajn Rahova.

Bozo: Arsimi është një nga fushat shumë të rëndësishme që kërkon kujdes shumë të veçantë nga qeveria. Mësuesi ta hap mendjen, të ndriçon, të përgatit për në jetë. Mësuesi të mëson gjithë jetën. Që ta bësh këtë profesion duhet të kesh shumë pasion. Është një profesion që nuk të sjell lek, duhet ta duash dhe ta kesh pasion. Kemi ardhur në një kohë që ka dalë në plan të parë digjitalizimi i çdo procesi, por arsimi nuk është vetëm arsim virtual. Duhet ta lidhim me natyrën, njerëzit, veprat, shoqërinë që ta kuptojmë se jetojmë në këtë vend të mrekullueshëm. Ky është një nga rolet kryesore. Arsimi është ndriçues, formon trurin e kombit. Nëse nuk ke intelektualët e tu, shkencëtarët e tu nuk ecën përpara kombi.

Lexo edhe :Related Posts

Si është të jetosh duke bërë kaq shumë gjëra dhe kaq shumë angazhime?

Bozo: Është gjë shumë e bukur. Kur e dashuron punën, nuk të rëndet kurrë, të jep një kënaqësi të paparë. Njeriu duhet të ketë një qëllim në jetë, nëse nuk ka një qëllim në jetë nuk ecën përpara. Shkolla pa familjen dhe familja pa shkollën nuk bëjnë dot, janë dy elementë që formojnë fëmijën. Kur e do një profesion të jep kënaqësi. Unë e filloj në 5 të mëngjesit ditën e punës dhe e mbyll në 11 të darkës. Unë bëj plan pune. Në fund të 2023 bëra plan pune për 2024. Planin e 2024 e kam ndarë me muaj dhe pastaj plan ditor. Edhe fëmijët e kanë këtë organizim sepse janë rritur në këtë mjedis. Fëmijët gjithë tiparet e karakterit i formojnë deri në moshën 5-6 vjeçare. Duhet të dish të punosh me fëmijët. Kjo është detyra e arsimtarit. Fëmijët e mi i kishin mundësitë që të lëviznin, por nuk e patën asnjëherë mendjen që të iknin sepse edukata që kishin marrë në familje, që kemi një vend të mrekullueshëm për tu zhvilluar. Nëse do të bëhesh dikush, mund të bëhesh vetëm në vendin tënd./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re