Qeveria spanjolle tha se telefonat celularë të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez dhe ministres së Mbrojtjes Margarita Robles janë sulmuar dhe përgjuar ilegalisht me softuerin spiun Pegasus, raporton AA.

“Këto janë ngjarje jashtëzakonisht të rënda që konfirmojnë se ka pasur sulme jashtë agjencive qeveritare dhe jashtë ligjit”, tha ministri spanjoll Felix Bolanos.

Bolanos tha se informacioni për sulmet u konfirmua edhe nga Qendra Kombëtare Kriptologjike Spanjolle, e cila vazhdon të hetojë telefonat e politikanëve të tjerë spanjollë.

Telefoni i Sanchez u sulmua nga Pegasus në dy raste në maj 2021, ndërsa Robles u përgjua në qershor të vitit të kaluar.

Zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group, Pegasus u lejon hakerëve të aksesojnë të dhënat dhe sensorët e telefonit të synuar, duke përfshirë mesazhe të koduara, të dhëna, tekst, email, foto, kamerë dhe mikrofon.

Izraeli e klasifikon këtë softuer si armë dhe vetëm shtetet duhet të lejohen ta përdorin atë për të luftuar krimin.

Bolanos tha se përdorimi i paligjshëm i Pegasus është vërtetuar në të paktën 20 vende të tjera. Mes viktimave janë politikanë, gazetarë dhe qytetarë të tjerë.

Ai tha se ka nisur hetimi për përgjimin e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.

Së fundmi, institucioni kërkimor Citizen Lab zbuloi se telefonat e të paktën 63 politikanëve katalanas ishin përgjuar dhe monitoruar me të njëjtin softuer.

Citizen Lab tha se qeveria spanjolle mund të kishte qenë pas atij spiunazhi masiv të separatistëve, por ai nuk mund ta konfirmonte atë pretendim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re