Skip to content

Peleshi kërkoi ekspertizë për ligjin e financimit të partive, përgjigjet Komisioni i Venecias: Më 25 nëntor do te sjellim dy ekspertë në Tiranë

images 51

Komisioni i Venecias i është përgjigjur kërkesëssë kryeparlamentarit Niko Peleshi, ku ka kërkuar ekspertizë ligjore mbi Ligjin për Financimin e Partive Politike.

Venecia bën me dije se më 25 nëntor dy ekspertë do të vijnë në Tiranë, për një vizitë pune në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Kreu i Kuvendi ftoi për një vizitë pune në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ekspertët e Venecias, për të diskutuar specifikisht mbi ecurinë e projekt ligjit për financimin e partive politike dhe reflektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Kjo ekspertizë e kërkuar vjen pasi më 17 Qershorin e këtij viti, Komisioni i Venecias ofroi një opinion mbi draftin ligjor “Për financimin e partive politike”. Ekspertët kanë vlerësuan draftin, por në opinionin e miratuar u vunë re disa kritika dhe këshilla. “Venecia” vlerësoi marrjen e masave më të forta në adresimin e financimeve të fshehta apo indirekte, marrë në kosideratë se aktiviteti ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri, vijon të funksionojë përmes transaksioneve me para në dorë. Madje u sugjerua se gjatë një procesi zgjedhor partitë të raportojnë në dy periudha.

Gjithashtu, ndër të tjera, “Venecia” rekomandoi forcimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kontrollin dhe auditin e financimit të partive politike.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka paraqitur tashmë propozimet e saj, duke kërkuar që Shqipëria të kthehet në një zonë të vetme zgjedhore, me sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura. Demokratët kërkojnë gjithashtu lista të hapura për këshilltarët bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së, rishikimin e votës së diasporës dhe vendosjen e një pragu zgjedhor që nuk penalizon partitë e vogla. PD propozon edhe balotazh zgjedhor në kushtet e një qeverie teknike, ndërsa kundërshton votimin dhe numërimin elektronik.

Një tjetër kërkesë lidhet me ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje. Opozita propozon gjoba, ndëshkime penale dhe deri në heqjen e mandatit për kandidatët që përfitojnë prej tyre, si dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve kur këto shkelje ndikojnë në rezultat. Komisioni, i ngritur në nëntor të vitit 2025, ka mandat deri në fund të këtij muaji. Diskutimet zhvillohen ndërsa afrojnë zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe mbeten për t’u trajtuar disa prej çështjeve kryesore të reformës.

Nga ana e saj, Partia Socialiste prioritet të saj në ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ka vendosur ndryshimet emergjente ligjore, që duhet miratuar si pasojë e refromës territorial, konkretisht formulës për anëtarët e këshillave bashkiakë. Kërkesës së demokratëve për rishikim të sistemit elektoral, për të kaluar në një sistem proporcional kombëtar, socialistët u janë përgjigjur se mbeten të hapur për ta diskutuar. Por si kundërofertë, ata janë shprehur se propozimi i tyre është reduktimi i numriti të deputetëve në 101. Por socialistët theksojnë se për ndryshimin e sistemit elektoral nevojitet diskutim më i madh, pasi ka bëjë me ndryshime në Kushtetutën e vendit.