Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një prononcim për mediat tha se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi kaloi sot në votim aktet pa debat, pasi mori urdhrin nga kryeministri Edi Rama.
Berisha tha se sapo ai nisi denoncimin për çështjen Aruba, Rama i dha urdhër Peleshit të kalojë aktet në kuvend pa debat.
“Mjaftoi fakti që unë denoncova Arubën, denoncova Sinaloan dhe pritjen në zyrën e kryeministrit të bosit të Sinaloas dhe Edi Rama t’i jepte urdhër Peleshit të tij që të votonte padiskutim aktet”, tha kryedemokrati.
Sali Berisha: Faktikisht siç e shifni, çdo ditë ndërmerren akte antikushtetuese dhe kundra shtetit. Kështu Peleshi me urdhër të Edi Ramës, po asgjëson parlamentin.
Ju ishit aty, e patë. Në një zhvillim fare normal të seancës, pasi u dakordësua se pas fjalës sime do të fillonin debatet dhe një pjesë e mirë e kolegëve të mi, bashkëpunëtorëve të mi, u tërhoqën nga kërkesa për procedurë, se ishin në listë, mjaftoi fakti që unë denoncova Arubën, denoncova Sinaloan dhe pritjen në zyrën e kryeministrit të bosit të Sinaloas dhe Edi Rama t’i jepte urdhër Peleshit të tij që të votonte padiskutim aktet.
Unë u them shqiptarëve se ky parlament po ecën me shpejtësi drejt fundit të vet dhe se ne absolutisht në çdo seancë do qëndrojmë në mbrojtje të rregullores dhe në mbrojtje të Kushtetutës.
