Pëllumb Kulla u lind në Zëmblak të Korçës më vitin 1940. Përfundon studimet e mesme në Politeknikum dhe studimet e larta i kryen në Akademinë e Arteve më 1964. Emërohet regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti. Më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia e çon për riedukim në gurore, minierë e më pas në ofiçinë.

Riedukimi zgjat po aq sa i duhet për të kryer studimet e larta; plot katër vjet. Më 1972 emërohet aktor në Teatrin “Bylis” të Fierit, më pas regjisor dhe punon 18 vjet, si regjisor i Estradës dhe Teatrit. Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arrin “kullën” e suksesit. Bëhet më e mira në vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare.

Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët “Çobo Rrapushi me shokë” (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë. Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi njëaktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV.

Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nën titujt “Lipe Shtogu në listë” (1979), “Shoku Niqifor” (1981), “Portrete pa makiazh” (1983), “Po martojmë Malon” (1984), “Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç” (1988), si edhe në buletinin “Teatër”. Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri. Më 1987 i jepet Çmimi “Naim Frashëri”.

Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen “Shoku Niqifor”, “Dy krismat në Paris”, “E bukur shtëpi e vjetër”. Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”, vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.

Po këtë vit, Kulla nderohet me Çmimin i Republikës, në fushën e satirës dhe humorit. Në vitet ’80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park” si dhe autor e regjisor i skenarit me metrazh të mesëm televiziv. Ndërsa në fushën e letrave, një tjetër ndihmesë e Kullës është përkthimi i autorëve të njohur si Pirandello, Çehov, Gogol, De Mysse, Buzzatti etj.

Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bon, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).

Gjatë qëndrimit në SHBA botoi esenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, “Si qeshnim nën diktaturë” dhe vëllimin me tregime “Rrëfenja nga Amerika”, me pas “Lejlekët nuk vijnë më”,”Vdekja e Enver Hoxhës”.

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re