Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi në një intervistë për Vizion Plus komenton situatën e krijuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe përjashtimin e deputetëve të opozitës nga seanca plenare.

 

Si e shikoni bllokimin e parlamentit dhe kush mban përgjegjësi që kemi arritur në këtë pikë?

 

“Normalisht kjo ishte një situatë që pritej edhe pse për hir të së vërtetës kjo është hera e parë që bllokohet kuvendi të mos zhvillohjë seancën plenare. Ne e kemi thënë shpesh herë se çfarë ndodh brenda PD janë problemet e tyre, iu takon atyre t’i zgjidhin me gjykatë pa gjykatë, me tre pjesë, me pesë pjesë, si të dëshirojnë ata. Ne nuk ndërhyjmë në këtë pjesë, por transferimi i këtyre problemeve të brendshme të PD në institucionet e shtetit shqiptar e në këtë rast në kuvend, sigurisht që ne na bën të vëmëndshëm për të parë sepse Kuvendi i Shqipërisë ka rregulloren e vetë si funksionon, ka mënyrën e vetë si funksionon dhe në fund fare këtë situatë në të cilin ndodhet Shqipëria sot, sidomos pas atij samiti tepër të suksesshëm që u zhvillua, ku u hapën rrugë të rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë, ku fonde të rëndësishmë u miratuan për të gjithë Ballkanin Perëndimor, e sigurisht përfiton Shqipëria në këtë aspekt”, thekson ai duke shtuar se kuvendi duket të fokusohet pikërisht në këto çështje dhe opozita duhet të lërë problemet e brendshme jashtë kuvendit.

 

Opozita në fakt protestoi kundër qeverisë dhe vendimet e kësaj të fundit për rrëzimin e kërkesave të vazhdueshme për komisione.

 

“Ne nuk kemi gjë kundër procesit të ngritjes së Komisionit Hetimor, ne jemi kundër objektit me anë të cilit kërkohet Komisioni Hetimor. Ti nuk mund të kërkosh një Komision Hetimor me një objekt i cili nuk është brenda rregullores së ngritjes së Komisioneve Hetimore, për këtë arsye na kanë lindur këtë konflikte”, tha ai.

 

Kush e zgjidh këtë konflikt?

 

“Ne kemi vendosur në një seancë plenare që një grup i përbashkët i të dy forcave politike, që në këtë rast duhej të ishtë brenda Komisionit të Ligjeve, të mund të rishikonte ligjin e Komisioneve Hetimore pikërisht që të mos kishim të tilla debate”, shprehet ai.

 

Kur do bëhet ky rishikim i ligjit?

 

“Nuk po gjejmë më konsensus”, përgjigjet ai duke nënvizuar që mazhoranca do të vijojë detyrën në Kuvend duke vazhduar me seancat normale plenare.

 

A është zgjidhje përjashtimi i deputetëve të opozitës nga Kuvendi?

 

“Rregullorja e përcakton në mënyrë të tillë, nuk është çështje dëshire, dëshirojmë ne apo nuk dëshirojmë ne që ta bëjmë këtë gjë”, thotë ai duke nënvizuar se kolegët e opozitës kanë shkelur rregulloret dhe përjashtimi parashikohet nga vetë rregullorja e miratuar në konsensues mes palëve politike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re