Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij vjetor, të enjten, para deputetëve kritikoi pushtetin gjyqësor por edhe politikanët dhe institucionet tjera për praninë e lartë të korrupsionit në Maqedoni të Veriut.

 

Ai tha se “nuk do të ketë drejtësi derisa të ketë në liri gjyqtarë dhe prokurorë që marrin vendime skandaloze me motive korruptive” dhe e njëjta sipas tij duhet të vlejë edhe për politikanët, që sipas tij janë shkaktarët e humbjes së besimit në organet e drejtësisë.

 

“Nuk ka drejtësi nëse nuk ka politikanë aktualë në burg për korrupsion, por drejtësi nuk do të ketë derisa të jenë të lirë gjyqtarët dhe prokurorët që marrin vendime skandaloze që ndoshta fshihen pas motiveve korruptive”, tha Pendarovski.

 

“Shteti duhet t’i vendosë kriminelët në burgje të tipit të mbyllur pasi në të kundërtën ata do të vazhdojnë të përdorin paratë e vjedhura nga populli për tu paraqitur para qytetarëve si të ndershëm dhe të virtytshëm. Nuk duhet të ketë vetëm arrestime për publikun, por dënime të gjata me burg dhe kthim të pasurisë së vjedhur. Por duhet respektohet edhe prezumimi i pafajësisë, të mos i dënojmë njerëzit në publik para se të jenë dënuar nga një gjykatë kompetente”, ka deklaruar Pendarovski.

 

Ai foli edhe mbi nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgarë në të, si obligim që del nga ai që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

 

Sipas Pendarovskit, të gjitha marrëveshjet e rëndësishme që kanë kaluar në legjislativ, si dhe vendimet për ndryshime në Kushtetutë janë mbështetur nga opozita andaj edhe i bëri thirrje që t’i mbështes pasi “qytetarët presin rezultate”.

 

“Askush nuk duhet t’i bëjë presion apo të kushtëzojë askënd që të votojë kundër vullnetit të tij, por, duke e bërë këtë, të gjithë deputetët duhet të jenë të vetëdijshëm për dy gjëra: së pari, përmbajtja e propozimit specifik, përfshirja e bullgarëve dhe e pjesëve të kombeve të tjera në Kushtetuta në asnjë mënyrë nuk e shkatërron identitetin maqedonas, dhe së dyti, ata që janë kundër saj sot, nëse vërtet besojnë se BE-ja është qëllimi ynë strategjik, si do të votojnë për këtë ndryshim kushtetues kur do të jenë në pushtet?”, tha Pendarovski.

 

Ai tha se askush nuk mund të garantojë se Bullgaria nuk do të vendos kushte të reja, sikur që nuk mund të garantojë se këtë nuk do ta bëjë ndonjë nga shtetet tjera anëtare të BE-së.

 

Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të mbështes sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës ndërsa akuzoi Moskën për kërcënim të sigurisë në Evropë si dhe për krizën energjetike dhe të ushqimit.

 

Presidenti maqedonas tha se “duke dënuar agresionin rus ne mbrojmë edhe veten tone”.

 

“Ne nuk i ndihmojmë Ukrainës sepse jemi anëtare e NATO-së apo se për këtë na obligon qëndrimi formal për ndihmë. Shtetet e vogla duhet të mbështetin rendin kushtetues, i bazuar në rregulla dhe parime pasi në një botë e cila bazohet në argumentet e forcës, gjasat tona për të mbijetuar janë të barabarta me zero”, tha Pendarovski./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re