Ish kreu i PD, Lulzim Basha e ka konsideruar pengmarrjen e tre policëve të Kosovës nga serbët si akt provokativ me synim destabilizimin.

 

Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shprehet se presidenti serb duhet të heqë dorë nga përshkallëzimi i situatës duke theksuar se Kosova është sovrane.

 

“Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës sot nga forcat speciale të Serbisë është një akt i ulët provokativ që synon destabilizim.

 

Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i garantuar nga faktori ndërkombëtar dhe akte të tilla janë thjesht dhe vetëm tentativa për përshkallëzim të tensioneve.

 

Aleksandër Vuçiç duhet t’i ndalojë menjëherë provokimet dhe të urdhërojë lirimin e punonjësve të Policisë së Kosovës”, tha ai.

 

Dialogu mes dy vendeve është zgjidhja e duhur për uljen e tensioneve dhe normalizimin e situatës, sipas Bashës.

 

“Kosova dhe Serbia duhet pa humbur kohë të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe së bashku me partnerët tanë SHBA dhe BE të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar dhe për t’i dhënë fund me njohjen reciproke të mosmarrëveshjeve që po prodhojnë vazhdimisht tensione. Vetëm në këtë mënyrë do të ruhet paqja dhe stabiliteti rajonal dhe të dy vendet do të fokusohen drejt zhvillimit dhe mirqenies së qytetarëve”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, kryeministri Rama është shprehur se do të presë fjalën e KFOR mbi situatën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re