Nuk ka më kthim pas në negociatat italo-shqiptare për njohjen e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore.
Nga 1 qershori i këtij viti, pra vetëm dhjetë ditë më vonë, shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga marrëveshja dypalëshe e nënshkruar dhe dakordësuar për pensionet, duke aplikuar pranë sigurimeve shoqërore të Italisë për të marrë trajtim njëjtë si shtetasit e tjerë me origjinë vendëse. Njëjtë do të ndodhë edhe me ata pak shqiptarë që kanë jetuar e kontribuuar në Shqipëri, kryesisht vitet e fundit.
Lajmin e mirë e dha kryeministri Edi Rama një ditë më parë me anë të një postimi në llogarinë personale në rrjetin social “Facebook”, sinjal që vjen vetëm dy ditë pas Samitit të VI të Komunitetit Politik të Evropës në Tiranë, ku ishte e pranishme edhe Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni. Edhe në postim, Rama e vë në dukje se ishte “motra”, referuar homologes së tij, Meloni, ajo që solli dokumentin final të procesit ligjor mbi zbatimin e marrëveshjes së pensioneve me Italinë.
“Lajm i mirë dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian: Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e marrëveshjes së pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025, shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”, – shkruan kreu i qeverisë.
Sipas marrëveshjes, shqiptarëve të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës dhe po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët italianë që jetojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave, rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali do të përfitojnë pensione. Po ashtu, shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024 mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje. Deri tani shteti shqiptar ka negociuar dhe lidhur me marrëveshjen me 17 shtete. Ky dakordësim bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet.
HISTORIKU I MARRËVESHJES
Nga nënshkrimi tek implementimi i marrëveshjes për njohjen e pensioneve italo-shqiptare ka kaluar thuajse një vit e gjysmë, pa llogaritur kalvarin e gjatë shumëvjeçar të përpjekjeve të të gjitha qeverive në pushtet për të marrë dakordësinë e palës italiane për njohjen e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore. Vitin e kaluar në shkurt u nënshkrua marrëveshja midis ministrave Tajani e Hasani, ndërsa u desh një kohë e gjatë për ratifikimin në parlament e botimin në Fletoret Zyrtare. Në muajin mars të këtij viti, kjo marrëveshje ligjore hyri në fuqi edhe në Fletoren Zyrtare të Italisë (tek ne shumë më parë) teksa firmosja ishte bërë më 6 shkurt nga palët respektive. Marrëveshja garanton të drejtat për pensionet e shqiptarëve në Itali dhe italianëve në Shqipëri, nga e cila përfitojnë rreth gjysmë milioni shqiptarë dhe 4 mijë italianë. Më herët, Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali, miratuan amendamentin për alokimin e fondeve në kuadër të zbatimit të marrëveshjes.
SA DO KUSHTOJË PAKTI
Për vitin 2025 u miratua një fond prej 12 milionë eurosh, 13.6 milionë euro për vitin 2026, 13.1 milionë euro për vitin 2027, 15.1 milionë euro për vitin 2028, 17 milionë euro për vitin 2029, 19.3 milionë euro për vitin 2030, 21.3 milionë euro për vitin 2031, 23.4 milionë euro në vit për të gjitha vitet e mëpasshme duke filluar nga viti 2032. Që prej vitit 2005 e deri më sot Shqipëria ka nënshkruar një sërë marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, ndër të cilat me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën e Zvicrës dhe me Kroacinë. Pritet të hyjnë në fuqi edhe marrëveshjet me Malin e Zi e Bullgarinë, ndërsa janë në proces marrëveshjet me Poloninë e Serbinë dhe kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Spanja, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qeveria është në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave me Francën. Me Greqinë vijon debati teknik, pasi është një proces i gjatë dhe i vështirë. Me Letoninë negociatat nisin në prill. Në proces janë negociatat edhe me Slloveninë e Moldavinë. Me Izraelin është rënë dakord, po rakordohen agjendat që e çon numrin në rreth 27-28 marrëveshje./Gazeta Panorama